Parku i Biznesit në Skenderaj, mundësi punësimi për qytetarët

15:54 | 19 Shkurt 2018
M. A.

1000 persona pritet të punësohen në Parkun e Biznesit që është planifikuar të ndërtohet nga Komuna e Skenderajt. Ky park që është gjenerim i vendeve të reja të punës është miratuar disa ditë më parë në Kuvendin Komunal të Skenderajt.

Kryetari, Bekim Jashari për Indeksonline ka dhënë detaje të reja për këtë projekt madhor.

Jashari ka thënë se ky park do të ndërtohet pranë magjistrales Skenderaj-Drenas-Komoran, konkretisht Marinë.

“Ky park do të ketë një hapësirë të mjaftueshme dhe do të ndërtohet pranë magjistrales Skenderaj- Drenas- Komoran, (Marinë) ku tashmë pjesa që i përket komunës së Skenderajt është rrugë me katër korsi, si dhe gjatë këtij viti pritet të vazhdohet edhe pjesa tjetër që i përket Komunës së Drenasit, me një fjalë është një pozitë e volitshme gjeografike për zhvillimin e bizneseve”, është shprehur Jashari.

Ai ka thënë se ky është vetëm një hap drejt zhvillimit ekonomik të kësaj komune, përmes së cilës synohet nxitja e investitorëve, transmeton Indeksonline.

“Ky është vetëm një hap i cili do t’i hap dyert drejt zhvillimit ekonomik të komunës tonë. Përmes këtij parku ne do të tentojmë që t’i nxisim investitorët për të ushtruar veprimtaritë e tyre biznesore në Komunën e Skenderajt përmes lehtësirave të bërit biznes që do të krijohen në këtë Park të Biznesit si dhe pozitës së volitshme gjeografike që do të ketë ky Park i Biznesit. Mendoj që është një lajm i mirë dhe i shpresës për gjenerimin e vendeve të reja të punës në Komunën e Skenderajt”, ka deklaruar Jashari.

Jashari ka folur edhe për rikthimin e asamblistëve në KK të Skenderajt. Ai është shprehur se do të këtë mirëkuptim me asamblistët në mënyrë që të punohet në të mirë të qytetarëve.

“Ne vazhdimisht do të punojmë që të sjellim projektet më të mira për qytetin tonë, edhe asamblistët duhet ta kuptojnë se nëse ka diçka që nuk është në të mirën e Skenderajt atëherë unë do të jem i pari që e kundërshtoj dhe nuk do t’a lejojë që të procedohet më tutje, mirëpo unë besoj që këtë e dinë edhe asamblistët dhe gjithë qytetarët e Skenderajt, besoj që do të kemi mirëkuptim me asamblistët dhe do të vazhdohet të punohet, ashtu siç ia kemi borxh qytetarëve tanë”, është shprehur në fund i pari i Skenderajt.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme