Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, sulmoi FBI-në dhe ligjvënësit që hetojnë ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, duke thënë se ata janë përqendruar së tepërmi te Rusia dhe kanë humbur shenjat që mund të kenë parandaluar të shtënat vdekjeprurëse në Florida.
Në një seri postimesh në Twitter, gjatë fundjavës, Trump tha se hetimet e Kongresit dhe “urrejtja politike” treguan se Rusia ka arritur të mbjellë “grindje, përçarje dhe kaos” në SHBA.
Ai tha se paraardhësi i tij, Barack Obama, ka dështuar të bëjë mjaftueshëm për të ndaluar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.
Në njërin nga postimet në Twitter, Trump kritikoi FBI-në për neglizhimin e shenjave paralajmërues në rastin e 19-vjeçarit Nikolas Cruz, i cili është akuzuar për vrasjen e 17 personave më 14 shkurt në një shkollë në Parkland të Floridas.
FBI ka pranuar të premten se ka dështuar të hetojë një paralajmërim se Cruz posedon armë dhe dëshirën për të vrarë.
“Shumë i pikëlluar që FBI-ja i ka humbur shumë sinjale të dërguara për qitësin në shkollën në Florida. Kjo nuk është e pranueshme. FBI po shpenzon shumë kohë në përpjekje për të gjetur prova për bashkëpunimin e fshehtë midis Rusisë dhe fushatës Trump. Nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë”, shkroi presidenti amerikan në Twitter.
Ai nuk ofroi prova për ndonjë lidhje midis hetimeve të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje dhe dështimit të FBI-së për të parandaluar të shtënat në Florida, të cilat kanë qenë më vdekjeprurëse në një shkollë të mesme amerikane.
Nxënësit që i mbijetuan masakrës kritikuan Trumpin për ndërlidhjen e kësaj ngjarjeje me hetimet e Rusisë, që i kanë hedhur hije presidencës së tij njëvjeçare.
“Shtatëmbëdhjetë miq të mi kanë vdekur dhe ju keni guxim ta lidhni këtë me Rusinë”, ka shkruar Morgan Williams, 16 vjeç, në Twitter.
Disa ligjvënës, përfshirë republikanë, i hodhën po ashtu poshtë pretendimet e presidentit.
“Shumë njerëz në FBI po bëjnë gjithçka të mundur për të na mbajtur të sigurt. Këto janë dy çështje të ndara”, tha senatori republikan, Tim Scott, në një intervistë për televizionin CBS.
“Presidenti ynë shfrytëzon tragjedinë për të sulmuar hetimet mbi ndërhyrjen e një kundërshtari të huaj në demokracinë tonë. E turpshme”, shkroi në Twitter ish-zëvendësja e prokurorit të përgjithshëm amerikan, Salley Yates.
Yates, e cila ishte emëruar nga adiministrata Obama, është shkarkuar nga administrata Trump pasi ka refuzuar të mbrojë kufizimin e udhëtimit për shtetasit e disa vendeve me shumicë myslimane.
FBI nuk i është përgjigjur kërkesës së agjencisë Reuters për komente mbi postimet e presidentit Trump.
Të premten, këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Muellers, akuzoi 13 rusë dhe tri kompani ruse për komplot për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...