Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ka folur për rrugëtimin e Kosovës në këto 10 vjet të pavarësisë së saj dhe ka shprehur bindjen se Kosova dhe Serbia sovjet do të arrijnë një marrëveshje finale për normalizimin e marrëdhënieve.
Gjatë fjalës së tij në Konferencën e Mynihut, presidenti Thaçi ka thënë se është shumë i privilegjuar që është në këtë konferencë, pikërisht në ditën kur ne shënojmë dhjetëvjetorin e shpalljes së shtetit të Kosovës.
“Kam pasë një nder të madh kur në pasditen e të dielës së 17 shkurtit të vitit 2008, si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, kam lexuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Thaçi, njofton Telegrafi.
“Kjo Deklaratë nuk definonte vetëm statusin e Kosovës. Me të, ne, si politikanë dhe si qytetarë të Kosovës, konfirmonim që ne po bënim një shtet që do të ketë vlera të mirëfillta politike dhe qytetëruese liberale dhe demokratike evropiane. Një shtet që do të synojë të jetë pjesë përbërëse e Aleancës Veriatlantike dhe e Bashkimit Evropian. Zatën, nuk ka mundur të ndodhë ndryshe: Çlirimi dhe pavarësia e Kosovës, janë vlera të njëmendta evropiane dhe perëndimore. Nuk do të ndodhte çlirimi dhe shteti i Kosovës, pa një partneritet të jashtëzakonshëm të Kosovës me SHBA-në dhe me Evropën”, tha ai.
Thaçi ka thënë se shteti i Kosovës është njohur që prej atëherë nga 115 shtete dhe ka arritur të shënojë progres në të gjitha drejtimet e mundshme.
“Për shkaqe të njohura, rrëfimi për Kosovën nuk është rrumbullkuar në plotëni, ne nuk jemi ende anëtar i OKB-së, ndërsa rrugëtimi jonë kah BE-ja është tej mase i ndërlikuar. Por, qytetarët e Kosovës e dinë çka duan, dhe ne si lidership, nuk kemi kurrfarë dyshimi se cili duhet të jetë drejtimi ynë si shtet.
Kosova është shteti më pro-evropian, më pro-amerikan dhe më pro-perëndimor në Ballkan”, tha presidenti, duke potencuar se “Jemi krenar për këtë fakt.
“Ai tha se Kosova, në 10 vitet e fundit është përballur me pasojat e mëdha të mungesës së unitetit në BE për shtetin e Kosovës. “23 shtete anëtare të BE-së kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por pesë shtete jo”.
“Sikur të kishte unitet të BE-së për Kosovën, sikur BE-ja të kishte folur me një zë, me një qëndrim për Kosovën, jam i bindur që shteti i Kosovës do të ishte shtet më i qëndrueshëm dhe më stabil”.
“Po ashtu, jam i sigurt që në këtë rast, ne tashmë do të kishim normalizuar në plotëni marrëdhëniet me Serbinë, gjë që do të ishte në dobi të Kosovës, të Serbisë dhe të gjithë rajonit”.
“Me një unitet të BE-së rreth Kosovës, me një vendosmëri më të madhe të BE-së për të integruar gjashtë shtetet e fundit të Ballkanit Perëndimor në BE, kam bindjen që ne sot nuk do të kishim pse të merreshim me këtë temë, e cila ndërlidhë ngecjet në procesin e zgjerimit të BE-së me përparimin evident të faktorit Rusi në këto anë të Evropës”, ka thënë presidenti Thaçi, duke thënë “le të shikojmë përpara, dhe të shfaqim një vendosmëri politike dhe diplomatike, e cila do të mund të shfrytëzonte një momentum të ri, që po krijohet në këto anë të Ballkanit me Strategjinë për zgjerim të BE-së, të shpallur vetëm pak ditë më parë”.
“Ne si Kosovë, jemi të përkushtuar për ta përfunduar dialogun me Serbinë, për ta bërë Marrëveshjen ligjërisht detyruese me të cilën Kosova dhe Serbia, si dy shtete fqinje, do të hynin në periudhën e paparë në historinë tonë të përbashkët, të fqinjësisë së mirë, të pajtimit, pse jo edhe të miqësisë në një të ardhme të përbashkët evropiane. Nuk kemi më kohë për të humbur, as ne, as Serbia”, tha ai.
“Ne në Kosovë duam që këtë vit e dëshirojmë epilogun e suksesshëm këtij dialogu, i cili me Marrëveshjen ligjërisht obligative, do të jetë një arritje e jashtëzakonshme për ne, për gjithë rajonin, dhe për mbarë Evropën.
Kosova është e gatshme për ta hedhur hapin final në këtë drejtim, sepse e dimë që kjo Marrëveshje e madhe me Serbinë, do të jetë garanca sipërore për ngadhjimin e paqes dhe të stabilitetit në këto anë të Evropës.
Për më shumë, kjo Marrëveshje do të jetë akti më evropian në rajon për vite me radhë, në mos edhe më gjatë”, ka thënë Thaçi.
Presidenti Thaçi e ka përmbyllur fjalimin duke shprehur shpresën se “në Bruksel do të kuptohet si asnjëherë më parë sa është e rëndësishme është arritja e kësaj Marrëveshje, dhe çfarë ndikimi do të ketë ajo në finalizimin e hartës politike dhe gjeografike të BE-së, me përfshirjen e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimorë”.
Në Konferencën e Sigurisë në Munih po marrin pjesë presidenti Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli. /telegrafi/
Në zonën 60 km/h voziti 117 km/h, policia shqipto gjobë prej...
Hamzën në Hannover dhe Köln: Kosova është shtëpia jonë e për...
Vazhdojnë paraqitjet e mira të Zhegrovës – shpallet lojtari ...
Osmani: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashk...
Haradinaj: Kosova direkt në NATO, është kthesa e madhe për K...
Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë