Google ADS

Presidenti Thaçi uron për 10 vjetorin e Pavarësisë

14:43 | 17 Shkurt 2018
Arbresh.info

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka shprehur urimet më të mira për qytetarët me rastin e 10 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Këtë ai e ka bërë përmes një statusi në profilin e tij në facebook, duke shkruar se shpallja e pavarësisë së Kosovës është akti më i lartë politik që kurorëzoi përpjekjet tona historike, sakrificën dhe synimin për të hyrë në familjen e kombeve të lira dhe sovrane, transmeton arbresh.info.

Ai ka shkruar se Kosova është vend i bekuar që ka miq të fuqishëm në botë në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me shtetet e BE-së dhe më gjerë.

Ky është statusi i tij i plotë:

“Sot Kosova ka festën më të madhe, ditën e Pavarësisë.

Dhjetë vjet më parë realizuam ëndrrën e madhe që krahas lirisë, Kosova të bëhet shtet i pavarur, sovran dhe demokratik.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës është akti më i lartë politik që kurorëzoi përpjekjet tona historike, sakrificën dhe synimin për të hyrë në familjen e kombeve të lira dhe sovrane.

Pavarësia e Kosovës u njoh menjëherë nga shtetet mike më të fuqishme të botës demokratike, duke hapur perspektivë të re për qytetarët dhe institucionet tona.

Sot, të gjithë qytetarët tanë festojnë me krenari dhe dinjitet kudo që gjenden në Kosovë, diasporë dhe kudo në trojet shqiptare.

Sot, më shumë se çdo herë qytetarët tanë kujtojnë vlerat supreme të sakrificës për liri të të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të rënë në periudha të ndryshme të historisë së pasur të popullit tonë.

Duke pasur parasysh këtë sakrificë, në këtë vit jubilar zotohemi se do ta ndërtojmë edhe më shumë shtetin tonë, në të cilin do të ndjehen mirë te gjithë qytetarët tanë pa dallim etnie dhe religjioni.

Kosova është shtet i përjetshëm, është atdheu ynë i përbashkët në të cilin do ta ndërtojmë lumturinë, prosperitetin dhe perspektivën e ndritur për ne dhe brezat që do vijnë pas nesh.

Kosova është vend i bekuar që ka miq të fuqishëm në botë në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me shtetet e BE-së dhe më gjerë.

Të gjithë qytetarëve tanë u shpreh urimet më të mira në përvjetorin e dhjetë të pavarësisë së Kosovës.

Gëzuar!

HTH”, ka shkruar ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme