Google ADS

Kryeministri Haradinaj: Kosova në këtë 10 vjetor ka të arritura të mëdha

11:46 | 17 Shkurt 2018
Arbresh.info

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në mbledhjen solemne të Qeverisë së Kosovës për nder të dhjetë vjetorit të shpalljes së pavarësisë ka thënë se Kosova në prag të shënimit të dekadës së parë të pavarësisë është sot një shtet, është shtëpi për qytetarët e saj e ngritur me flijimin e shumë brezave, transmeton arbresh.info.

“Ne pra po ndërtojmë një shtet model ku secili qytetar, grup etnik e fetar , gra e burra  me diversitet etnik e kulturor si dhe gjuhësor si dhe me pluralizëm politik e ideor e projektuan vullnetin e tyre për të jetuar së bashku në një shtet duke krijuar vepra që na mbajnë bashkë në shtet”, ka thënë ai.

Sipas tij 10 vjet pavarësi të Kosovës dhe 19 vjet liri do të thotë mbyllje e konfliktit të tmerrshëm që rrënoi shumë jetë njerëzish dhe nisje e një jetë të re

“Kosova në këtë dhjetë vjetor ka të arritura të mëdha por edhe mjaft sfidë për të cilat besoj se me një unitet politik  e institucional do t’i kapërcejmë , Kosova është një vend i vogël por Republikë zemërgjerë dhe nderon aleatët që i kanë qëndruar afër në kohë të vështira dhe që i qëndrojnë afër tani edhe në festë “, ka theksuar kryeministri Haradinaj.

Haradinaj ka deklaruar se shteti i Kosovës e ka përmbushur kërkesën e qytetarëve të vet për liri dhe po e përmbush përcaktimin për një jetë të përbashkët të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim.

“Jemi të vetëdijshëm që ende nuk janë përmbushur në tërësi pritjet e qytetarëve për një shtet model por jemi në një rrugë të pakthyeshme që bashkërisht me partnerët tonë të mbërrijmë aty”, ka pohuar kryeministri i vendit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme