Cilat janë sëmundjet e shpirtit?

02:00 | 17 Shkurt 2018
Trina Galanxhi

Siç shkruan filozofi rumun Costandin Noica (Sase maledii ale spiritului contemporan, 1978; trad. it. Sei malatie dello spirito, il Mulino, Bologna 1993), një ditë edhe yjet janë sëmurur.

Pasi kanë vigjëluar mbi një botë nën nivelin e pritshmërive, disa prej tyre janë tërhequr dhe janë bërë yje dembelë, disa janë përzier me tepri në punët njerëzore duke rrezikuar përfundimisht natyrën e tyre qiellore, dhe të tjerët e kanë kushtëzuar aq fort veten, saqë përkojnë më shumë me përllogaritjet e astronomëve sesa me zotat. Yjet janë sëmurur.

Edhe qielli është sëmurur. Të vjetrit besonin në pakorruptueshmërinë e sferave qiellore, ashtu siç besonin në pakorruptueshmërinë hyjnore. Sot është arritur të zbulohen edhe sëmundje galaktike. Në kozmos është fshehur një krimb.

Edhe drita është sëmurur. Gëte besonte ende në përsosmërinë e saj, ndaj edhe protestonte kundër Njutonit, i cili e konsideronte përzierje të shtatë ngjyrave, e si rrjedhim të papastër. Pastaj dritës iu mat shpejtësia e transmetimit dhe u zbulua se është e përçarë së brendshmi, duke qenë njëherësh thërrmijë edhe valë. Kaq shumë sëmundje, në një rreze të thjeshtë drite.

Edhe koha është sëmurur. Koha absolute, homogjene, uniforme na u shpalos si më pak e madhërishme që prej çastit ku u shndërrua në kohë të thjeshtë lokale.

Edhe jeta është sëmurur, me përafërsitë dhe pasiguritë e sinjalizuara nga biologjia bashkëkohore, për të cilën jeta është një mbufatje e thjeshtë e materies, një rastësi e shndërruar në domosdoshmëri.

I sëmurë është edhe logos– i, i copëtuar në gjuhë trevash, ndërkohë që do të duhej të sillte me vete bashkimin e arsyes.

Po nëse të gjitha etnitetet e mëdha janë sëmurur dhe, nëse kultura na i shpjegon sëmundjet e tyre si strukturore, me ç’sy mund ta vështrojmë ende qiellin? Kështu ndodhi që leximi i qiellit, rregulli i tij, ligji, masa e tij, u fundosën në pandërgjegjen e njerëzve dhe u përzien në indet e irracionales, për t’u shkredhur më pas si refren i përditshëm mbi kuptimin e kohës dhe fatit.

Sot nuk jemi më në lartësinë e peisazhit antik. Sot njohim vetëm shpirtra individualë të asfiksuar prej pazotësisë për ta lidhur vuajtjen e tyre të përditshme me dhimbjen e botës.

Një vëllim i kuptimit, ai që të vjetrit e lidhnin me kupën qiellore, është thithur nga shkencat psikologjike, të cilat duke e kufizuar fushën e tyre te përshkrimi i thjeshtë i proceseve psikike individuale, kanë shmangur pyetjen bazike që përshkonte frymën e botës në përpëlitjen e kësaj mes shpirtit dhe materies, aty ku mbetej e pavendosur nëse njeriu ishte autor i një historie me gjithë erashkën e krijimeve të veta, apo thjesht ekzekutuesi i një destini të shkruar më parë në trashësinë e materies./konica.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme