Google ADS

Opozita kërkesë Kuvendit: Bushati të japë sqarime për detin e falur

10:09 | 16 Shkurt 2018
Arbresh.info

Opozita ka thirrur në seancë dëgjimore ministrin e Jashtëm Ditmir Bushatin.

Kjo kërkesë e opozitës lidhet me deklaratat e Kotzias në lidhje me paktin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Kjo kërkesë është bërë nga 1/3 e anëtarëve të komisionit dhe i është përcjellë kryetares së këtij komisioni Mimi Kodheli dhe është firmosur nga 7 deputetë.

Nga Bushati kërkohet të sqarohet për mungesën e informimit në lidhje me bisedimet që po zhvillohen.

Kujtojmë që ministri Bushati kërkoi plotfuqishmërinë për këto bisedime nga presidenti. Meta është takuar dje me ish-presidentët por edhe Mimi Kodhelin për të diskutuar mbi kërkesën e Bushatit.

KËRKESA

KUVENDI i SHQIPERISE

K Ë R K E S Ë

DREJTUAR: ZONJËS MIMI KODHELI

Kryetare e Komisionit për Punët e Jashtme

KËRKUES: 1/3 E ANËTARËVE TË KOMISIONIT PËR PUNËT E JASHTME

OBJEKTI: 1) Thirrjen e mbledhjes së Komisionit për punët e jashtme

2) “Zhvillimin e një seance dëgjimore publike me Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme z. Ditmir Bushati”.

BAZA LIGJORE: Neni 7 i Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, si dhe nenet 32 dhe 36 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

E nderuar znj. Kryetare Komisionit,

Në kuadrin e deklaratave të Ministrit të Jashtëm Grek lidhur me delimitimin e hapësirave detare ndërmjet dy vëndeve, si dhe në mungesën totale të transparencës nga ana e Qeverisë Shqiptare dhe përkatësisht te Ministrisë per Europen dhe Punët e Jashtme, kërkohet kjo seancë dëgjimore për të informuar Komisionin e Jashtëm të Kuvëndit te Shqipërisë, si dhe opinionin e gjërë publik për këtë çështje me interesa të gjëra publike.

Nga ana e Ministrit të Jashtëm Kotzias pas takimeve hermetike të Kretës dhe të Korçës, është deklaruar “se palët tashmë kanë arritur në marrëveshje për delimitimin e hapësirave detare si dhe pala shqiptare ka pranuar që pala greke të zgjerojë ujërat e saja territoriale deri në 12 milje”. Këto deklarime nuk janë mohuar nga ana e qeverisë shqiptare, ç’ka i bën akoma më të besueshme deklarimet e Ministrit të Jashtëm Grek.

Nga ana tjetër Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 15, datë 15.04.2010, ka shqyrtuar “pajtueshmërinë me Kushtetutën e Shqipërisë të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.Ky vendim erdhi si pasojë e ankimimit që Partia Socialiste në atë kohë në opozitë e përfaqësuar nga ana ez. Saimir Tahiri, z. Damian Gjiknuri dhe z. Myslym Pashai, pretenduan një sërë parregullsishë në marëveshjen e vitit 2009.

Kjo Gjykatë me një argumentim të gjerë ka arritur në përfundimin, që shprehet në mënyrë të përmbledhur në faktin se parregullsia kryesore e konstatuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese ishte:

Zhvillimi i negociatave dhe arritja e marrëveshjes nga ana e grupit negociator pa patur Plotfuqishmërinë e Presidentit të Republikës

Në këto kushte, në përputhje me pikën 2 të nenit 32 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ku parashikohet se: “Mbledhjet e komisionit të përhershëm thirren edhe me kërkesën e jo më pak se ¼ së anëtarëve të Komisionit, duke përcaktuar në kërkesë dhe çështjet që do të diskutohen në mbledhje”, si dhe nenit 36 të saj, ku parashikohet se:

“Komisioni është i detyruar të zhvillojë seanca dëgjimore publike me anëtarë të Këshillit të Ministrave, në rast se një e treta e të gjithë anëtarëve të komisionit e kërkon atë në mënyrë të motivuar me shkrim”, me qëllim marrjen e një informacioni të plotë mbi këtë çështje dhe pyetjet që e shoqërojnë.

KËRKOJMË:

“Thirrjen e mbledhjes së Komisionit për Punët e Jashtme, ditën e mërkurë, datë 21.02.2018, ora 11.00’, me këtë rend dite:
Zhvillimin e një seance dëgjimore publike me Ministrin per Europen dhe Punët e Jashtme, me qëllim informimin e anëtarëve të Komisionit mbi pa qartesite e renditura me poshte.

Pyetjet tona lidhen me kushtet e procedurat se kur deklarohet që është arritur apo ka marrë formë marrëveshja (qe do të thotë se është ngritur grupi negociator), janë zhvilluar negociatat, palët në nivel ekspertësh kanë rënë dakort, dhe më pas zhvillohen diskutimet në nivele politike.

Gjithashtu këto pyetje bazohen edhe në faktin se nga Presidenti i Republikes deklarohet që deri më tani nuk është dhënë asnjë Plotfuqishmëri për këtë proces shume të rëndësishëm. Kjo u konfirmua edhe nga kerkesa e bere vetem dje nga Ministri Bushati per te kerkuar Plotfuqishmerine:

Përse një marrëveshje e tillë zhvillohet në një mungesë totale të infomimit të institucioneve kryesorë të vëndit, Kuvëndi i Shqipërisë, Opozita, Shoqëria Civile?

Tashme qe u qartesua fakti i mos pasjes akoma te Plotfuqishmerise, ne kërkojmë të dimë edhe vleresimin tuaj për këtë situate jo normale, si dhe per vlefshmerine e procedurave te ndjekura deri me tani?

c.A eshte kordinuar me Presidentin per hapat e deri tanishme dhe mbi cbaze legale jane bere ato, sidoqofte pergjigja per pjesen e pare?

Cili është grupi negociator, çfarë përbërje ka, cili është niveli i përfaqësimit në këtë grup i ekspertëve të fushave, i ekspertëve nga opozita dhe nga shoqëria civile, në mënyrë që ky grup të jetë i pakontestueshëm dhe të përfaqësojë në mënyrë të drejtë të gjithë interesat kombëtare?

e.Nëse është ngritur ky grup ekspertësh për të negociuar, cili është tagri që ka ky grup? Cilat zona po delimitohen dhe a duhej te përcaktoheshin me pare ato në aktin e Plotfuqishmërise së Presidentit të Republikës?

Nëse është arritur marrëveshja në nivel politik sikurse është deklaruar nga ana e Ministrit të Jashtëm të Republikës së Greqisë, a është kjo një shkeljen e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë,kur ka munguar edhe Plotfuqishmëria e Presidentit?

g.Nëse marrëveshja është arritur në nivel politik – çfarë u ngelet ekspertëve të bëjnë? Thjesht çertifikimin e marrëveshjes politike në një kohë që duhet të jetë e kundërta, bëhen negociatat në nivel eksperti e më pas nënshkruhet marrëveshja politikisht?

Kjo kërkesë e një grupi deputetësh, që përbëjnë 1/3 e anëtarëve të Komisionit për Punët e Jashtme, bazohet edhe në nenin 7 të Kushtetutës, ku sanksionohet parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Nën dritën e këtij parimi, merr përparësi funksioni i kontrollit parlamentar, i cili nënkupton të drejtën e pushtetit legjislativ për t’u informuar dhe për të realizuar mbikëqyrjen për zbatimin e ligjeve nga organet e pushtetit publik, brenda kufijve të përcaktuar nga Kushtetuta, me qëllim marrjen e masave të domosdoshme për parandalimin e paligjshmërisë si dhe nxjerrjen e përgjegjësive, sipas rasteve konkrete.

Të gjitha çështjet që përmbajnë në vetvete një interes publik përfshihen brenda funksionit të kontrollit parlamentar. Pa asnjë dyshim kjo çështje mbart në vetvete një interes të lartë publik dhe shtetëror, që absolutisht nuk mund të anashkalohet.

Përsa më lart, lutemi thirrjen e mbledhjes së Komisionit në orën dhe datën e propozuar nga ana jonë, për të diskutuar mbi çështjen objekt të kësaj kërkese.

Duke ju falenderuar për mirëkuptimin,

ANËTARËT E KOMISIONIT PËR PUNËT E JASHTME /albeu.com

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme