SHBA i kërkon OKB-së marrjen e masave kundër Iranit

09:19 | 16 Shkurt 2018
Arbresh.info

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley ka thënë se, “është koha që Këshilli i Sigurimit të veprojë”, pas prezantimit të raportit të OKB-së, në të cilin thuhet, se Irani ka shkelur ndalimin e organizatës për armatosjen e rebelëve huthi në Jemen.

“Raporti thekson atë çfarë e kemi thënë për muaj, se Irani ka transferuar armë në mënyrë të paligjshme duke shkelur disa rezoluta të Këshillit të Sigurimit”, ka thënë Haley më 15 shkurt.

Raporti i panelit të ekspertëve të OKB-së në muajin e kaluar, ka thënë, se raketat balistike iraniane dhe armë të tjera janë gjetur në Jemen.

Më 2015 me anë të një rezolute, kjo organizatë i ka ndaluar Iranit armatosjen e rebelëve huthi në Jemen.

Në raport thuhet, se Irani ka dështuar në marrjen e masave të duhura për të parandaluar dërgimin e armëve te rebelët.

Ekspertët kanë ardhur në përfundim se Irani ka shkelur ndalimin për armët.

Irani e ka të ndaluar transferimin e armëve përveç nëse Këshilli i Sigurimit e miraton një gjë të tillë.

“Bota nuk mund të vazhdojë që lejojë që këto shkelje të mbesin pa përgjigje”, ka thënë Haley.

“Irani duhet ta dijë se do të ketë pasoja për sfidimin e komunitetit ndërkombëtar. Është kohë që Këshilli i Sigurimit të veprojë”, ka thënë ajo.

Haley ka kërkuar vazhdimisht veprime të OKB-së kundër Iranit, duke ftuar ambasadorët në këtë organizatë, që të shohin, se SHBA-ja ka të dhëna se raketat balistike të Iranit janë përdorur nga rebelët huthi për të nisur sulme kundër Arabisë Saudite disa herë gjatë vitit të kaliar.

Irani kundërshton furnizimin me armë për rebelët, pavarësisht që përkrah hapur rebelët shiitë në luftën civile kundër qeverisë së Jemenit, e cila përkrahet nga Arabia Saudite.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme