Universiteti i Prishtinës luajti rol të rëndësishëm në shtetndërtimin e Kosovës

10:24 | 15 Shkurt 2018
Arbresh.info

Sot do të mbahet ceremonia e 48-të vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Universiteti i Prishtinës u themelua me Ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969.

Myrvete Badivuku-Pantina, prorektore në UP tha se themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte ngjarje më rëndësi për shqiptarët.

“Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte nevojë e kohës. Në vitin 1970 u arrit qëllimi për edukimin e të rinjve të Kosovës”, tha ajo në RTK.

Sipas saj, Universiteti i Prishtinës ishte vatër e dijes për shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës etj.

“Universiteti i Prishtinës është institucion shumë i përbërë. Ka shumë aktivitete në UP që janë të centralizume. Në po punojmë që të kemi më shumë decentralizim dhe t’i japim angazhim edhe njësive akademike”, tha ajo.

Badivuku-Pantina tha se po punohet që të rritet cilësia në UP. ‘Ne si menaxhment po punojmë që të rrisim cilësinë në UP. Kemi përpiluar strategjinë trevjeçare”, theksoi ajo.

Ndryshe, themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte një ngjarje historike për popullin e Kosovës dhe sidomos për kombin shqiptar.

Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë , më 15 shkurt 1970 u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe data e 15 shkurtit u shpall Ditë e Universitetit të Prishtinës. Në përbërje të Universitetit të Prishtinës të posathemeluar ishin këto fakultete me seli në Prishtinë: Fakulteti Filozofik, Fakulteti Juridiko-Ekonomik, Fakulteti Teknik dhe Fakulteti i Mjekësisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme