Shqiptarët shpenzojnë shifra marramendëse për Shën Valentin

20:49 | 14 Shkurt 2018
Arbresh.info

Trëndafilat, më të shiturat edhe më të shtrenjtat, janë simbol i festës së 14 shkurtit.

Ditë e shënuar jo vetëm për të dashuruarit, por edhe për dyqanet e luleve, të cilët ditët e festave tashmë përkthehen në fluks pune.

Trëndafili është lulja më e shitur, njëkohësisht edhe më e shtrenjta, shton ai. Fat për dyqanet e luleve këtë herë është se festa qëlloi në mes të javës. Në rast se do të qëllonte në fundjavë tendenca e njerëzve është për të lëvizur jashtë qytetit.

Për sa i përket çmimeve; ato variojnë në varësi të buxhetit të porositësit. Ato luhaten nga 5 mijë lekë, deri në 100 mijë lekë (afro 1000 USD) dhe janë kryesisht burrat që blejnë për bashkëshortet e tyre. Buqetat gjigante, ku numri trëndafila kapërcen tre shifrat, janë bërë trendi i kohëve të fundit. Çmimi mesatar i një trëndafili është 200 lekë dhe një buqetë me të paktën 100 trëndafila, kushton mesatarisht deri në 20 mijë lekë. Por, sipas Jonit, nuk mungojnë as porositë me numër të lartë të trëndafilave. Një prej klientëve të dyqanit ka porositur një buqetë me plot 500 trëndafila, të cilat përpos të tjerave janë edhe të vështira për t’u transportuar deri në destinacion,- tregon Joni për Monitor.

Lulëzimi i biznesit të luleve
Biznesi i tregtimit të luleve dhe kultivimit të bimëve ka shënuar një rritje të fortë në tre vitet e fundit, duke reflektuar një tendencë të shqiptarëve drejt natyrales, dhurimit të luleve në raste gëzimesh e fatkeqësish, tendencës së bizneseve për tu kujdesur për ambientin përreth dhe projekteve të punëve publike për zbukurimin e qyteteve.

Sipas të dhënave të Doganës, importet e Pemëve dhe bimëve, rrënjëve, luleve dhe gjetheve zbukuruese, u rritën me 27 për qind krahasuar me një vit më parë. Që prej vitit 2013, importet e këtij grupi janë rritur me ritme dy shifrore.

Gjatë 2017-s importet e luleve tejkaluan vlerën e 1 miliardë lekëve. Ndërkohë që muajt të cilat importet janë më të larta në vlerë janë pikërisht ato të festave, dhe më të ulëta gjatë muajve të verës kur prodhimi vendas është edhe më i lartë. Vetëm gjatë muajve shkurt dhe mars të vitit që lamë pas u importuan mbi 300 milionë lekë lule. Meshkujt shqiptarë duket se janë bërë më romantikë vitet e fundit, teksa edhe në shkurt 2017 importet u rritën me 45%.

Aktorët e tregut thonë se fluksi i punës është shtuar, por njerëzit kërkojnë buqeta lulesh më ekonomike dhe kërkojnë që të shpenzojnë më pak. /monitor

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme