Google ADS

30 ditë paraburgim për Faton Fetiun që plagosi gjinekologun në Prishtinë

17:19 | 14 Shkurt 2018
Arbresh.info

Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Faton Fetiu për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, ka njoftuar kjo gjykatë. Fetiu, dyshohet se gjatë ditës së djeshme ka plagosur me armë zjarri gjinekologun Premtim Gojani.

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar Faton Fetiut masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji dhe atë duke filluar nga dje deri më 13.03.2018.

“Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendej i pandehuri në liri mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.F është masë e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës”, thuhet në njoftim.

Gjykata Themelore e Prishtinës thotë se i pandehuri F.F (bëhet fjalë për Faton Fetiun) dyshohet se me dt.13.02.2018, rreth orës 07:38, në lagjen “Marigona”, komuna e Graçanicës, ka tentuar ta privoj nga jeta të dëmtuarin P.G (bëhet fjalë për Premtim Gojanin) të cilin e ka qëlluar me armë zjarri dhe i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore në kokë dhe gjoks, andaj me këtë ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 179 par. 1 pika 1.5 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gazeta Express ka raportuar më herët se mjeku i plagosu, gjinekologu Premtim Gojani është në gjendje stabile shëndetësore pas dy intervenimeve mjekësore që i pati dje, por pritet që t’i nënshtrohet edhe një operacioni të tretë.

Dyshohet se Faton Fetiu dje gjatë ditës në lagjen “Marigona” në Prishtinë ka plagosur me tre plumba gjinekologun. E gjithë ngjarja ndodhi para shtëpisë së Premtim Gojanit./Express/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme