Google ADS

Si e nxori kancelari austriak zëvendësin e tij para medieve për t’u sqaruar rreth Kosovës

16:25 | 14 Shkurt 2018
Arbresh.info

Sebastian Kurz, kancelari i Qeverisë austriake, ka dalë sot në një konferencë për media me zëvendëskancelarin Heinz Christian Strache, para mbledhjes së Qeverisë së atejshme, ku kanë bërë sqarime edhe rreth deklaratave të Strache kundër Kosovës

Vetë kancelari Kurz tha se çështja e njohjes së Kosovës është e përfunduar.

“Austria ka një kohë të gjatë që e ka njohur Kosovën dhe ky qëndrim nuk do të ndryshojë në të ardhmen”, ka theksuar ai.

Deklaratat e Kurz dhe Strache mund t’i ndiqni në këtë video.

Ndryshe deklaratat e Strache kanë nxitur shumë reagime në Kosovë, Serbi dhe në rajon si dhe të politikanëve të ndryshëm evropianë.

Më i ashpër ka qenë europarlamentari gjerman, Bernd Posselt, i cili ka kërkuar për dorëheqjen e zëvendëskancelarit austriak, Heinz-Christian Strache, pasi vuri në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës. Sipas Posselt, zv.kancelari austriak është njeri i Putinit në Bashkimin Evropian.

Austria është një nga shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ka njohur Pavarësinë e Kosovës dhjetë vjet më parë. Ndërsa, deklarata e zv. kancelarit austriak ra ndesh me qëndrimin që Austria ka mbajtur karshi Kosovës.

Ai ka akuzuar kancelarin austriak se është njeri i Putinit që është spostuar si ‘kali i Trojës’ brenda Bashkimit Evropian, transmeton Gazeta Express.

“Njerëz të tillë janë si kali i Trojës i Putinit në BE, sepse Moska po bën gjithçka që mundet për ta hedhur poshtë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë gjermani.

 

Të ngjashme