Google ADS

Provat që dyshohet se u zhdukën në rastin Ivanoviq

19:28 | 12 Shkurt 2018
M. A.

Një gëzhojë e zhdukur e njërit prej plumbave që qëlloi Oliver Ivanoviqin është arsyeja pse dy policë të Kosovës kanë përfunduar në burg.

Kallxo.com mëson për pretendimet e Prokurorisë ndaj dy policëve, të cilët u arrestuan të shtunën me dyshimet se zhdukën prova në rastin Ivanoviq.

Politikani serb ishte qëlluar me gjashtë plumba ndërsa forenzika në vendin e ngjarjes kishte gjetur një gëzhojë më pak.

Kjo gëzhojë nuk ishte zbuluar në ditën e krimit.

Siç shkruhet në dosjen e Prokurorisë kur hetuesit kishin shikuar kamerat e sigurisë nga vendi i krimit kishin parë policin Zharko J., i cili kishte marrë nga vendi i krimit një gëzhojë dhe e kishte futur në xhep.

Kolegu tjetër i tij, Dragisha M. po ashtu i arrestuar, vetëm kishte shikuar këtë veprim të kolegut të tij pa e penguar të njëjtin.

Prokuroria pretendon se dy policët lejuan kalimtarë të rastit të futen në vendin e krimit pa i penguar të njëjtit.

Dy të dyshuarit janë paraqitur sot para Gjykatës së Mitrovicës, ku nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën që u vihet në barrë.

Vendimi për masën ndaj tyre pritet të merret në orët në vijim.

Politikani i serbëve të Kosovës dhe kryetari i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” Oliver Ivanoviq u vra në Mitrovicën Veriore më 16 janar.

Ai u varros një ditë më pas në Beograd.

Vrasja e tij është dënuar gjerësisht nga zyrtarët e BE-së, ata serbë dhe kosovarë.

Ai shihej një politikan i moderuar në Kosovë që përkrahte bashkëjetesën midis pakicës serbe dhe shumicës shqiptare.

Megjithatë, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999, gjatë luftës së Kosovës për pavarësi. Ai e deklaroi veten të pafajshëm.

Serbia ka kërkuar përfshirje në hetimin për vrasjen e Ivanoviqit, ndërsa dy shtetet në mënyrë të tërthortë janë duke shkëmbyer informata për këtë vrasje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme