Google ADS

KQZ-ja, pa mandat

08:29 | 12 Shkurt 2018
Arbresh.info

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhej të kishte përbërje të re që nga muaji shtator, megjithatë ende nuk dihet se kur do të emërohen përfaqësuesit e rinj.

Kryesuesja dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) tashmë janë pa mandat, ndërkohë presidenti i vendit Hashim Thaçi ende nuk ka ndërmarrë asnjë hap për emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet, emërimi i anëtarëve të rinj të KQZ-së është dashur të bëhet më së voni në fillim të muajit shtator, por për shkak se vendi po hynte në procesin e zgjedhjeve lokale presidenti Hashim Thaçi ua kishte vazhduar mandatin edhe për 90 ditë që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare.

Megjithatë, emërimi i anëtarëve të rinj të KQZ-së nuk është bërë, ndërkohë që nuk dihen arsyet.

Gazeta “Zëri” ka kërkuar sqarime nga Zyra e Presidentit, por nuk ka marrë përgjigje.

Në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit, koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) duhet t’i ketë dy përfaqësues në KQZ, sikur që edhe “Vetëvendosja” dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa duhet t’i kenë nga dy përfaqësues.

Por, burimet bëjnë të ditur se presidenti Thaçi kohë më parë ka planifikuar që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar nëse koalicioni PAN duhet t’i ketë vetëm dy përfaqësues apo nëse pas formimit të Grupit Parlamentar të AAK-së dhe atij të Nismës duhet që PDK-së, AAK-së dhe Nismës t’u ndahet nga një vend në KQZ./Zëri/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme