Krimet e Rënda dërgojnë çështjen e Saimir Tahirit në Gjykatën e Lartë

21:05 | 11 Shkurt 2018
Trina Galanxhi

Prokuroria për Krimet e Rënda vijon betejën ligjore ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Prokuroria kërkon nga Gjykata e Lartë që të vendosë sërish masën shtrënguese për bllokimin e pasaportës për Tahirin.

Qëndrimi i Prokurorisë vjen pas dështimit në Apelin e krimeve të rënda i cili hoqi sekuestron për pasaportën e Tahirit.

Sipas të dhënave zyrtare publikuar në faqen e Gjykatës së Lartë mësohet se rekursi në fjalë është depozituar në 7 Shkurt 2018. Ai mban si objekt “Caktimin e masës së sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Ende nuk është përcaktuar ora dhe data e seancës së parë të shqyrtimit të cështjes.

Ish-ministri Tahiri hetohet nga Krimet e Rënda për akuzën e “trafikut të narkotikëve në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal” dhe për “korrupsion i zyrtarëve të lartë”, bazuar në aktet hetimore të referuara nga drejtësia italiane.
Kujtojmë që Apeli ia riktheu pasaportën ish-ministrit në datë 26 dhjetor të vitit të kaluar duke i hequr masën e ndalimit të lëvizjes jashtë vendit./opinion/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme