Kontrolli i dobët që ka Kuvendi i Kosovës ndaj punës së Qeverisë, besohet se po ndikon në nivelin e ulët të zbatimit të ligjeve. Moszbatimi i ligjeve, mbetet një nga çështjet kryesore që sfidon institucionet e vendit.
Organizatat joqeveritare që monitorojnë punën e Kuvendit të Kosovës, thonë se deputetët e legjislaturës së gjashtë, sikurse dhe ata nga legjislaturat e kaluara, nuk po arrijnë që ta monitorojnë punën e Qeverisë për zbatimin e ligjeve.
Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga monitorimet e bëra, shihet që nuk ka një seriozitet të duhur nga ana e deputetëve për të monitoruar zbatimin e ligjeve nga ana e Qeverisë.
“Është një avaz i vjetër që po vazhdon edhe në këtë legjislaturë. Pra, deputetët do të duhej të ishin shumë më aktiv në monitorimin e zbatimit të ligjeve. Madje, edhe monitorimi kur bëhet, duhet të bëhet në mënyrë të mirëfilltë, sepse ka pasur rastet ku deputetët janë dakorduar që të shkojnë të bëjnë monitorimin e zbatimit të një ligji, por paraprakisht e kanë informuar një institucion ose kudo ku kanë shkuar të monitorojnë. Në këto raste, edhe nëse ka pasur probleme në zbatimin e atij ligji, ato janë evituar të paktën për një kohë të shkurtër”, thotë Murati.
Ai thekson se komisionet parlamentare në Kuvendin e Kosovës, në planin e punës së tyre, shihet se kanë paraparë që të monitorojnë zbatimin e disa ligjeve, por se a do të ndodhë diçka e tillë, siç thotë ai, mbetet të shihet.
“Zakonisht, një numër i vogël i ligjeve monitorohen nga ana e Kuvendit. Zakonisht komisionet i monitorojnë deri në dy ligje, që është numër shumë i vogël në krahasim me atë se çka do të duhej të bënte Kuvendi”, thekson Murati.
Kryetarja e Komisionit për legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje, konsideron se ka shumë ligje, të cilat nuk gjejnë zbatim në terren. Megjithatë, ajo thotë se një pjesë e tyre miratohen nga Kuvendi vetëm sa për të marrë pikë pozitive në sytë e ndërkombëtarëve.
Haxhiu vlerëson se monitorimin i zbatimit të ligjeve në të shumtën e rasteve nuk është bërë, pasi që Qeveria ka shpërfillur deputetët dhe kërkesat e tyre.
“Kjo shpesh nuk është kryer me përgjegjësi nga ana e Kuvendit, pikërisht për faktin se në të shumtën e rasteve, përfshirë edhe Qeverinë aktuale, pra qeveritë në vazhdimësi, kanë qenë shpërfillëse karshi institucionit më të lartë ligjvënës”.
“Ne jemi në dijeni se Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë një sërë ligje, por që fatkeqësisht ato kanë mbetur të pazbatuara për shkak të papërgjegjësisë së institucioneve, për të cilat edhe nxirren ligjet”, thekson Haxhiu.
Ajo thotë se në disa komisione ka gatishmëri dhe vullnet për monitorimin e zbatimit të ligjeve, ndonëse beson se duhet të bëhet edhe më shumë.
“Ka një gatishmëri të disa komisione parlamentare, sidomos komisionet parlamentare që udhëhiqen nga opozita. Por, nuk jam e kënaqur për shkak se ka potencial më shumë në mënyrë që Qeveria të vihet para përgjegjësisë dhe sigurisht ta ngremë zërin për moszbatimin e ligjeve, për shkak se ky është përnjëmend problem, sepse në ligjet i bëjmë për nevojat e qytetarëve dhe jo sa për të mbetur në sirtarët e institucioneve dhe të pazbatueshme”, shton Haxhiu.
Në republikat parlamentare, kuvendet mbikëqyrin punë e qeverisë në zbatimin e ligjeve.
Parlamenti si organ shtetëror është bartës i funksioneve më të rëndësishme shtetërore dhe politike të një shteti.
Një ndër funksionet me shumë rëndësi, të cilin e ushtron Parlamenti përveç funksionit legjislativ, është edhe ai kontrollues i ekzekutivit.
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?