Atentati që tronditi Tiranën, greku vrau shqiptarin

11:14 | 11 Shkurt 2018
Arbresh.info

Një atentat me armë zjarri ka ndodhur gjatë kësaj jave në Tiranë.

Nga atentati ka mbetur i vdekur  41 vjeçari, Devi Kasmi.

Policia dhe Prokuroria kanë thënë se ekzekutimi i Devi Kasmit mund të ketë ndodhur ose për përplasje të grupeve të drogës ose për të marrë hak për një krim të vitit 2011 në Tiranë.

41 vjeçari, Devi Kasmi

E pas vrasjes së tij, policia e Tiranës filloi edhe gjurmimet duke bërë bastisje në disa shtëpi të të dyshuarve nga ku u gjet një depo armatim.

Bastisje në disa shtëpi të të dyshuarve

Gjatë operacioni “Enigma”, forca të shumta të Policisë së Tiranës kanë ushtruar kontrolle në disa banesa të autorëve të dyshuar, si dhe në shtëpinë që ndodhet në periferi të Tiranës, në fshatin Kodër Mëzes, në pronësi të organizatorit të këtij grupi. Policia tha se shtëpia shërbente si bazë e grupit. Policia zbuloi aty një arsenal armësh, municionesh, eksplozivash, raketa hedhës, armë të precizionit të lartë, minë me telekomandë, dylbi, radio ndërlidhje (si ato të policisë), të cilat funksiononin në grup, maska, veshje kamuflazhi, etj. Po ashtu mësohet se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjeti, i cili dyshohet se është përdorur në kryerjen e vrasjes. Gjithashtu edhe 2 pistoleta, njëra prej tyre e dyshuar si arma e krimit, 4 armë automatike, 2 snajper, 4 pushkë automatike, 1 armë antitank me 2 predha, 1 bombë me telekomandim në distancë, sasi e konsiderueshme lënde eksplozive C4 dhe tritol, 4 radio marrëse, një dron, 2 maska dhe 110 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa. Gjithashtu janë gjetur edhe rrobat që kishte veshur shtetasi grek, natën kur dyshohet se ekzekutoi Devi Kasmin.

E nisur nga veprimet e grekut, policia nuk e ka pasur aspak të vështirë gjetjen e vrasësit. Veprimi i parë i grekut, i cili vë në dyshim nëse ishte një vrasës me pagesë apo krimi ndaj Kasmit kishte një prapavijë tjetër që ka të bëjë sherrin që ata të dy kishin bërë tre ditë para vrasjes tek palestra e Kasmit. Familjarët e Kasmit i thanë më pas policisë së i afërmi i tyre kishte bërë sherr me një person të huaj, të gjatë dhe me mjekër para se të vritej. E dyta është se ai u fut në ambientet e palestrës duke mundësuar filmimin nga kamerat e sigurisë. Pas marrjes së dëshmisë së familjarëve dhe të Mario Meshinit që ishte dëshmitar në vrasje, policisë nuk i mbeti gjë tjetër vetëm se të hapte kamerat e palestrës së Devi Kasmit duke siguruar pamje të grekut duke u zënë me Kasmin. E treta ishte se ai përdorte gjerësisht rrjetet sociale dhe nuk fshihte natyrën e tij si person i regjur me armën dhe me ambientet ushtarake. E fundit është se ai nuk fshehu një element të rëndësishëm të identitetit të tij, siç është mjekra e dendur. Mjekra ishte elementi kryesor për të cilën dëshmuan familjarët e Devi Kasmit si edhe Mario Meshini në polici. Pas dëshmive dhe pamjeve nga kamerat e sigurisë, policisë nuk i mbetej gjë tjetër veç se të krihte Tiranën për të gjetur një person të huaj, të gjatë dhe me mjekër.

Efthymio Efthymious

Zbulimi dhe arrestimi i ish-oficerit të Forcave Speciale greke Efthymio Efthymious ishte një punë e organizuar mirë e forcave ligj zbatuese në vend, e ndihmuar deri diku edhe nga gabimet e bëra nga vetë grupi i vrasësve me pagesë, të cilët dyshohet se ekzekutuan Devi Kasmin. Duket se derisa arriti tek personat në fjalë, policia ka ecur të dy linja duke u siguruar që të kapë pikërisht ata që ishin të përfshirë.

U fol shumë se Devi ishte së bashku me shokun e tij gjatë vrasjes, por që më vonë u largua, duke ngritur dyshimet se ai kishte gisht në vrasjen e shokut të tij.

Shoku, Mario Meshini

Por lidhur me këto akuza u publikua edhe një video nga vendi i ngjarjes ku duket Mario Meshini teksa largohet me motorin e tij vetëm pak minuta pas vrasjes së Devi Kasmit në Tiranë. Videoja e nxjerr nga kamerat e sigurisë së një biznesi disa metra larg vendit ku mbeti i vrarë 42-vjeçari, tregon Mario Meshinin duke ecur me motor dhe pa kaskë në kokë.

Por gazetari, Artan  Hoxha ka treguar disa detaje nga vrasja e Devi Kasmit, duke zbuluar edhe se Mario Meshini  ishte shoku i ngushtë i viktimës dhe i cili në momentin e vrasjes do të takohej me të, por ai ka treguar se menjëherë pas ngjarjes Meshini ka shkuar në darkë tek e dashura sepse ajo kishte ditëlindjen.

Gazetari, Artan Hoxha

“E vërteta është se Mario Meshini njoftoi menjëherë bashkëshorten e Kasmit. Policia e akuzon pse ka lëvizur nga vendi i ngjarjes, pse nuk ka shkuar në polici. Autori i ka drejtuar pistoletën, dhe kur iu drejtua armën ka ngritur duart lart. Ai ka patur ditëlindjen e të dashurës së vet, dhe rreth 1 orë pas ngajrjes, ka shkuar te e dashura e tij. Dhe të afërt të tij ,e kanë çuar sërish në banesë sepse kishin frikë se nuk dinin kush ishte autori,” tha Hoxha. Me këto deklarata Hoxha hodhi poshtë zërat se Meshini mund të jetë bashkëpunëtor në vrasje.

Hoxha po ashtu ka zbuluar se shtetasi grek, Eftimiu Eftimius ndiqte prej kohësh Dëfrim Kasmin, ai madje lëvizte shpesh tek palestra në pronësi të Kasmit, pranë shkollës “Sami Frashëri”.

“Dëfrim Kasmi, dyshonte tek çdokush, mbante dy armë gjithmonë me vete, një në brez një në çantë. Armën ose i ka rënë kur e kanë goditur. Ai ka qenë në palestër kur vinte re nga kamerat një person të cilin nuk e njihte askush. Ai ka bërë fotografi për ta identifikuar, dhe kur e ka parë sërish, ka dalë dhe i ka vendosur pistoletën në kokë, shtetasit grek. Greku ka tentuar të njohë vendin, lëvizjet dhe oraret. Por në përpjekje për të njohur terrenin është zbuluar dhe kur Kasmi i ka vënë pistoletën në kokë. Kasmi i ka folur në shqip, greku i është përgjigjur në anglisht. Kasmi i ka bërë kontroll të imtësimshëm, dhe nuk i gjeti armë kur e kapi. E shpëtoi fakti që ai foli në anglisht dhe që nuk kishte armë. Dëfrim Kasmi ka hyrë në palestër e ka dalë, dhe brenda 15 minutave greku është rikthyer në vendin e ngjarjes, dhe kjo i ka shpëtuar Kasmit. Një i huaj që i vihet pistoleta në kokë në një vend si Shqipëria, ai nuk rikthehet kurrë, por greku është rikthyer sërish,” zbuloi Hoxha.

Në ndërkohë gjatë kësaj jave u zbuluan edhe disa detaje të reja nga e shkuara e vrasësit grek, Eftimio Eftimius.

Ai kohë më parë ka shërbyer si rojë pranë ambasadës shqiptare në Athinë, ndërkohë  ai ka probleme në shtetin grek pasi disa herë është akuzuar si i lidhur me trafikim të drogës. Përpos rastit ku ai u përfshi në trafikun e kokainës nga Kolumbia në aeroportin e Frankfurtit gjatë vitit 2009, Eftimiu ka qenë pjesëtar i rrjetit kriminal që trafikonte kanabis nga Shqipëria në Greqi. Në një tjetër rast, Eftimiu u akuzua bashkë me 20 persona të tjerë, shumica shqiptarë, për trafik kokaine. Më tej thuhet se Eftimiu mbajti lidhje me grupet kriminale shqiptare. Shtetasi grek dyshohet të ketë marrë porosi nga bosët e kokainës për Kasmin lidhur me një vrasje të ndodhur në 2011. Burimet nga grupi hetimor bëjnë me dije se Kasmi kishte krijuar armiqësi me grupe në Spanjë dhe Francë.

Ndërkohë për burime nga grupi hetimor në Policinë e Tiranës bëjnë me dije se vrasja e Devi Kasmit dyshohet të ketë ardhur për hakmarrje.

Pas konfirmimit nga policia greke se Eythimios Eythimiou është akuzuar në të kaluarën e tij në Greqi, midis të tjerash për trafikimin e 6 kilogramë kokainë nga Kolumbia në Aeroportin e Frankfurtit, si dhe për trafikimin e paligjshëm të emigrantëve nëpërmjet Aeroportit “Eleftherios Venizelos” dhe Doganës së Kapshticës në vitet 2008-2009, edhe avokati i tij Sakis Kehajoglou, i njohur gjithashtu si avokati i Alket Rizait, ka folur për të kaluarën e shtetasit grek, që tashmë akuzohet për vrasjen e Devi Kasmit.

Por përpos policisë gazetari, Artan Hoxha poashtu zbuloi se greku e ndiqte prej kohësh Kasmin.

E pas arrestimit u mor edhe dëshmia e grekut rreth kësaj vrasje.

Pavarësisht akuzave dhe fakteve nga policia shqiptare, ish-polici grek ka mohuar akuzat duke deklaruar se është i shokuar nga arrestimi. Burimet policore bëjnë të ditur se Ethymiou nuk ka dhënë sqarime nëse ka debatuar ose jo me viktimën pak ditë para ngjarjes apo nëse e njihte ose jo viktimën.

“Në Shqipëri kam ardhur për qejf, nuk kam kryer asnjë krim”, mësohet të jetë shprehur Ethymiou para policisë.

Por dilema më e madhe ishte se kush e pagoi grekun dhe kush dha urdhrin për vrasjen e  Devit Kasmit!

Vrasja e 41-vjeçarit Devi Kasmi në Tiranë ka dyshime të forta se është urdhëruar të kryhet nga një bos shqiptar,që rezulton të jetë i izoluar në një burg të Greqisë. Ky person, është arrestuar nga policia helene për trafik kokaine dhe fill pas arrestimit të tij, në Greqi janë arrestuar dhe 30 persona të tjerë të kombësisë shqiptaro-greke.

E pas vrasjes së Kasmit, në telefonin e tij u gjetën numra të njerëzve shumë të rëndësishëm.

Gazetari Artan Hoxha ka bërë një deklaratë të fortë duke zbuluar se celularin e Dëfrim Kasmit, janë gjetur numra celulari të oficerëve të lartë të policisë, madje edhe numra të oficerëve të policisë gjyqësore.

Nëse do ishte pjesë e grupit Mario do i merrte celularin. Policia ka gjetur aty kontakte shumë të rëndësishme, madje edhe numra të oficerëve të policisë së shtetit dhe personazhe të policisë gjyqësore. Mund të them se edhe një emër i njohur në kryeqytet i arrestuar për implikim në droga të forta është kapur pikërisht nga të dhënat në celularin e Devi Kasmit”, tha Hoxha./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme