Për 50 për qind rritet numri i pacientëve të prekur nga gripi sezonal

13:12 | 10 Shkurt 2018
Arbresh.info

Qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të përballen me epideminë e gripit sezonal, ku vetëm për një javë ka pasur rritje mbi 50 për qind të rasteve krahasuar me javën e kaluar, shkruan arbresh.info.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë publike statistikat përgjatë pesë javëve të para të vitit 2018-të, përmes së cilave bëhet e ditur se është rritur numri i përgjithshëm i rasteve krahasuar  me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Gjatë javës së pestë të vitit 2018, në Kosovë janë raportuar 6.451 raste të gripit (Incidenca=353,7 /100.000), që paraqet rritje prej 55.5% krahasuar me javën e kaluar, derisa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kemi rritje të numrit të përgjithshëm të rasteve”, thuhet në raport.

Nga 1 tetori deri më 2 shkurt, 2018 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 31.383 raste të dyshimta në grip.

“Në laboratorin e Qendrës Kombëtare të Gripit-IKSHPK deri më 7 shkurt 2018 janë testuar gjithsej 322 mostra për tipizim dhe subtipizim në grip. Prej  tyre 165 ose 51 %  kanë rezultuar pozitive  në  Influencë, prej të cilave 66 mostra janë pozitive në Influencën A (1 rast A(H1) dhe 99 në Influencën B (48 raste janë B subtipi Yamagata)”, thuhet në raport.

Njëra nga pacientet e cila kërkonte ndihmë mjekësore në qendrën kryesore të mjekësisë familjare në Prishtinë, shpjegon gjendjen e saj shëndetësore.

“Qe disa javë jam me grip, po kam dhembje fyti. Disa here kam marrë shërbime mjekësore, por prapë po kam probleme. Kam përdor disa ilaçe dhe po shpresoj të me kalojë”, thotë ajo, të cilës mjekja i përshkruan disa tableta për fyt dhe paracetamol për ethe e temperaturë.

Mjekët në këtë qendër këshillojnë të moshuarit dhe pacientët me sëmundje kronike të marrinë vaksinën kundër gripit sezonal./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme