Hoti: Do ta votojmë demarkacionin, Qeveria të dorëhiqet pas votimit

00:03 | 10 Shkurt 2018
Trina Galanxhi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti në Interaktiv të KTV-së ka bërë të ditur se LDK-ja do ta votojë marrëveshjen e demarkacionit posa ajo të sillet në Kuvend, megjithatë ka kërkuar që Qeveria të japë dorëheqje.

Ai ka thënë se Qeveria nuk ka sjellë asgjë të re në marrëveshjen e demarkacionit, pasi edhe më parë ishte paraparë se ajo mund të rishikohej nga të dyja palët nëse do të kishte fakte.

“Shpresoj se edhe zoti Limaj e edhe partitë tjera do të reflektojnë pas izolimit e vendit. Marrëveshja që është arritur në vitin 2015 e ka në njërin prej neneve të saj që marrëveshja mund të rishikohet nëse paraqiten fakte të reja. Në nenin dy të ligjit për ratifikimin e kësaj marrëveshje është një nen që thotë se në dhjetë vitet e ardhshme nëse ka fakte të reja se palët do të ulen të rishikojnë segmente të reja të vijës kufitare”, ka thënë Hoti.

Hoti ka akuzuar Qeverinë se e kishte shfrytëzuar kauzën e demarkacionit për të ardhë në pushtet.

“Iu bëj thirrje që ta sjellin marrëveshjen në Kuvend dhe ta ratifikojmë, të lirohemi, të hiqet izolimi që iu është bërë qytetarëve të Kosovës. Të dy palët (Kosova dhe Mali i Zi) ishin pajtuar se marrëveshja mund të rishikohej nëse ka fakte kredibile që i shtynë palët të rishikojnë. Kjo përpjekje e tyre e sjell në pah se ajo dhunë që kishin bërë atëherë ishte vetëm për të ardhur në pushtet. Ata duhet të kërkojnë falje qytetarëve që kanë përdorur rrejshëm këtë kauzë. Kostoja e liberalizimit është e paimagjinueshme. Qindra mijëra euro, miliona euro marrja e vizave të bizneseve pa i marrë parasysh pritjet e qytetarëve para ambasadave apo studentëve për të marrë një vizë për vizitë në vendet evropiane”, është shprehur Hoti.

Ai më tutje ka thënë se PDK-ja është përgjegjëse për izolimin e qytetarëve.

“Personalisht e mbaj përgjegjëse PDK-në për izolimin e qytetarëve në vend. Qeveria e kaluar është rrëzuar mbi këtë kauzë, se s’po ka fuqi për të kaluar kauza të mëdha. Kemi pritur që në Kuvend të sillet një marrëveshje e re në muajt e parë por kjo nuk ndodhi”, thotë ai.

Hoti ka konfirmuar se LDK-ja synon ta tejkalojë këtë qështje, megjithatë ka kërkuar që Qeveria të dorëhiqet pas votimit të demarkacionit.

“Jemi plotësisht të përkushtuar që sa më parë ta përmbyllim këtë çështje. Ftojmë koalicionin që ta sjellin marrëveshjen në Kuvend. Ne do ta votojmë atë sapo ajo të sillet në Kuvend. Por, pas votimit të demarkacionit atëherë diçka duhet të ndodhë dhe nuk ka rrugë tjetër përveç zgjedhjeve të reja. Do ishte parimore nëse këta pranojnë publikisht që menjëherë pas votimit të demarkacionit të japin dorëheqje. Liderët duhet të ulen të merren vesh për zgjedhjet e ardhshme. Nëse nuk sigurohet votat për demarkacion nuk ka kuptim që të vazhdojë koalicioni qeverisës”, është shprehur ai./koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme