Nga: Mentor Nazarko
Sot diskutohet dhe votohet në seancën plenare projektligji për arësimin e lartë. Është një tekst kompleks për të cilin po flitet prej një kohe të gjatë. Janë organizuar konferenca, debate televizive, shkrime në seriale të ndryshme, etj, etj. Ditët e fundit ndërsa po duket i qartë në horizont miratimi i tij, janë shtuar dhe intensifikuar zërat cilësorë kundër tij.
Në rrethana të tilla, ja vlen të mos ngelësh jashtë gjithë diskutimit publik rreth ligjit në fjalë. Por nuk kam ndërmend të hyj në përmbajtje, në analizë përmbajtësore sa kohë që ligji është shumë kompleks, kërkon studim angazhues dhe ka shumë elementë që meritojnë vëmendje, të cilët nuk trajtohen dot në kufizimet e një artikulli.
Në një lexim përmbledhës të tekstit të ligjit, të kritikës ndaj tij, mund të thuhet se ligji synon të prishë statuskuonë në marrëdhëniet midis shtetit dhe universiteteve në përgjithësi, midis tij dhe universiteteve shtetërore, midis vetë universiteteve duke u përpjekur të fusë parimin e konkurencës nëpërmjet barazimit të trajtimit të tyre. Sesa e ka arritur këtë, kjo mbetet për t’ u parë në sprovën e forcës. Ligji do të ketë një periudhë tranzitore ku do testohen elementët kryesorë të tij, dhe me gjasë do duhet të riparohen. Por ka diçka që nxit për t’u përfshirë në debat dhe që lidhet pikërisht me polemikat e finishit, ku po përfshihet pa koherencë, ose pa intensitet konstant apo në rritje dhe opozita.
Pse nuk pati një përfshirje të organizuar të mendimit shkencor kritik ndaj ligjit, mobilizim ndaj tij, në faza të mëhershme kur mundej dhe të ndryshohej shumëçka ? Kur them përfshirje të organizuar e kam fjalën në formën e një komiteti, që mbi bazën e një studimi (kush më mirë se akademikët mund të bënte këtë studim) të mbronte alternativën e vet. Më saktë pse ky mendim kritik nuk arriti të organizohej në atë formë sa të ndryshonte cilësisht projektin në faza të mëhershme ? Nuk arriti ? Kjo është logjika e konkurencës së grupeve të interesit : dikush fiton njëherë, dikush arrin të korrigjojë, dikush pret radhën e vet. Pse si dhe në raste të tjera, këtu i referohem opozitës, ajo zgjedh të përfshihet në fund, kur rrota e e mekanizmit parlamentar s’ndalet më, si ndodhi me ndarjen territoriale, apo me reformën e drejtësisë etj, etj ? Pse vazhdohet akoma me logjikën e monologjeve në distancë të kampeve, me mendim që merr formën e drejtëzave të kithta, në çështje të tilla kaq madhore ?
Nga një pjesë e kritikës ndaj ligjit, po tentohet të personalizohet autorësia e ligjit me pronarin e një universiteti. Edhe kjo është një sëmundje e vjetër e kritikës, e cila në përpjekje për të manipuluar opinionin i vendos të keqes kolektive, një emër të përveçëm. Kështu ndodh me drejtësinë dhe fajsohen presidentët. Nëse ky emër është i njerit pronar prej tyre i cili ka patur dhe një angazhim mediatik, kryesisht në favor të së djathtës, atëherë ky personalizim imagjinohet se prek telat e të ndershmëve : ja ky njeri po e dredh dhe me të majtën dhe e ka bindur Ramën për të miratuar një ligj në favor të tij.
Që ky ligj mund të favorizojë universitetet private që spo e kritikojnë, mund të mos ketë dyshim, por universitetet private nuk janë ose s’duhet të jenë vetëm pronarët e tyre, ashtu si dhe publiket, nuk janë vetëm rektorët e tyre. Ndaj s’ka arsye pse të shihen si personazhe negative të dramës shqiptare. Pse kush tha se universitetet publike janë në pozita të drejta ndërsa privatet jo ? A nuk janë dhe ato vatra parazitizmi, feude të vegjetimit të të paaftëve me tituj të rrejshëm, të pedagogëve që marrin para për provime, të rektorëve që në emër të autonomisë përfshihen në fushata politike, në këshilla bashkiakë, në gara për deputetë, nën siglat e një partie apo një tjetre ? Pse në pikëpamje organizative, një universitet publik duhet të jetë më sipëror sesa një privat-sipas përkufizimit të sotëm ?
Sipas kritikës që synon t’i vendosë një emër të përveçëm ligjit, ky pronar paska arritur të manipulojë kryeministrin, kreun e mazhorancës për të kaluar një projekt si ky. Me cilën fuqi e ka manipuluar? Financiaren? Nuk besohet. Të ekipit të vet akademik? Edhe kjo s’besohet. Duket e vështirë kush e njeh kryeministrin, që të arrijë të manipulohet në këtë shkallë, sa të kalojë një ligj që shkund universitetet shtetërore, që derimëtani kanë qenë domene të politikës, veçanërisht në kohë të zgjedhjeve, ku dhe ai mund të ngrinte çadrat e partisë së vet. Duhet të ketë diçka tjetër që ta ketë bindur atë veç lobimit, diçka normale në kohët tona, që ai të hyjë në një betejë me foletë e grerëzave që fshihen brenda katedrave, dhe që tronditen nga prishja e statuskuosë, privilegjeve akademike, në formën e esnaferive do të thoshte dikush. Mos ka dhe interes publik, psh të tipit të kostove të mëdha që të orientuara kah publiku shkojnë për tendera ndërtimesh, makinash për administratën, administratash të fryra, etj ndërsa performanca e sektorit është në rënie të vazhdueshme, ndërsa pagesat e pedagogëve kryesisht atyre të jashtëm që janë më shumë se gjysma e totalit, janë të mjera? Shqetësimet e disa zërave autoritare kritikë për cënim të autonomisë janë me të vërtetë serioze, por beteja nuk ngjan e mbyllur. Brenda periudhës kalimtare të ligjit, ka kohë që të dilet me një platformë alternative, korrigjuese të projektligjit që do kalojë sot. Por statuskuoja duhet të prishet : nëse modeli, apo sistemi i referohet më së shumti një të ngjashmi perëndimor, më mirë akoma. Nëse ka mballoma vendore, të papajtueshme, që rrisin kontrollin shtetëror, që tolerojnë fluksin e parave të paqarta si pretendonte dikush, atëherë ato duhet të hiqen dhe në periudhën tranzitore, ato duhet të flaken me shpejtësi.
Drejt polifonisë së zërave kritikë, megjithatë duhet adresuar dhe një vërejtje tjetër që vlen për disa prej tyre, megjithatë dhe jo për të gjithë. Pse ata nuk reaguan me të njëjtën ndjeshmëri, kundër feudalizmit universitar degradues në sektorin publik, politizimit të universiteteve publike apo lulëzimit të universiteteve private, në mëyrë tragjikomike sipas një sistemi abuziv me paratë e qytetarëve ? Nëse do kishin të njëjtën koherencë atëherë dhe sot, atëherë do të ishin të duartrokitur, por nëse jo, atëherë sot angazhimi i tyre ha diskutim. Kjo vlen vetëm për disa dhe jo për të gjithë.
Dhe një fjali në fund për opozitën që është shpallur historikisht si e qendrës së djathtë duke milituar rregullisht nëpër organizatat europiane të partive liberaldemokrate. A ka opozita ndonjë model që frymëzohet prej kësaj ideologjie, që kapërcen realitetin e kërpudhave që lulëzuan ngjashëm me piramidat financiare në qeverisjen e shkuar? Apo ndërsa qeveria e sotme shkon djathtas si në çështjen e pronës, e të persekutuarve, etj, opozita shkon majtas thjesht dhe vetëm për t’ u dukur si kundërshtare e palëkundur e ndryshimeve madhore në këtë vend ?
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?