Bildt: Bllokimi i Maqedonisë në NATO dhe BE mund të shkaktojë tensione në rajon

19:01 | 6 Shkurt 2018
Arbresh.info

Në një kolumnë të publikuar në “The Washington Post”, bashkëkryesuesi i Këshillit Evropian, Carl Bildt konsideron se bota duhet të ketë vëmendjen e saj në krizën rreth çështjes së emrit të Maqedonisë.

Në këtë kolumnë, Bildt i qaset historikisht Ballkanit, duke filluar me deklaratën e Winston Churchill, për gjoja Ballkanasit kanë prodhuar më shumë histori se sa që mund të konsumojnë, duke vazhduar me Lekën e madh, irritimin grek dhe bllokimin në integrimet europiane, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që Greqia nuk mund ta bllokojë Maqedoninë, në bazë të marrëveshjes së tanishme të përkohshme, e arritur në vitin 1995, e deri te protestat e fundit masovike në Athinë.

Bildt vlerëson se zgjidhja e kësaj çështje do të kërkojë veprim të shpejtë dhe të fuqishëm nga liderët e të dy shteteve, të cilët do të duhet të tejkalojnë një kundërshtim të rëndësishëm dhe të fuqishëm nacionalist në shtetet e tyre, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas tij, kryeqytetet si Washingtoni, Parisi, Berlini e Londra duhej të kishin vëmendjen dhe duhet të bëjnë gjithçka që të arrihet një pajtueshmëri. Në të kundërtën dhe nëse sërish bollokohet anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE, Bildt konsideron se rajoni mund të përfshihet në tensione.

Bildt e përmbyll kolumnën me mendimin se ka forca në Rusi që janë të etura që të nxitin pasionin nacionalist në Ballkan për të penguar zgjerimin e mëtutjeshëm të NATO-s dhe BE-së në rajon./Telegrafi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme