Ahmeti: S’ka shpresë për përafrim të grupeve në VV

22:03 | 5 Shkurt 2018
Arbresh.info

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka deklaruar se problemet me të cilat po përballet Lëvizja Vetëvendosje, i kanë zhgënjyer qytetarët.

“Kur jemi tek Lëvizja Vetëvendosje, unë jam befasuar edhe vet se çka po ndodhë brenda VV-së. Situata është këtu ku është, nuk mund t’ju gënjej as t’ju jap optimizëm që gjërat do të bëhen mirë sepse gjendja është jo e mirë. Për ato se çka kam parë dhe dëgjuar, nuk tregojnë për ndonjë përafrim të të dyja palëve. Kjo nuk do të ishte mirë të vazhdojë edhe më gjatë si njëfarë storie e prolonguar, sepse po vërehet edhe një zhgënjim i qytetarëve, me të drejtë, me atë që po ndodhë në VV. Në qoftë se palët nuk pajtohen do të ishte mirë që secila palë të vazhdojë tutje”, u shpreh kreu i Komunës, Ahmeti, në “Puls” të KTV-së.

Ahmeti nuk pranoi të deklarohet se kah do të rreshtohet në rast se vjen edhe zyrtarisht deri tek ndarja e VV-së.

“Se a do të qëndroj në VV… unë po pres se nuk e kam të qartë se çka po ndodhë në VV. Arsyeja pse kam hyrë në VV ka qenë bashkimi për ta mundur të keqen, pra nga të gjitha forcat”, deklaroi Ahmeti.

“Nuk e di se çka do të ndodhë. Unë nuk mund të ndërroj mendim dhe qëndrim për asnjërin prej shokëve të mi që kam pas dhe kam në VV. Unë nuk kam njohur njerëz më të afërt në politikë se sa Albinin, Visarin dhe Dardanin. Kur dolën këto në publik isha kritik për krejt këto që dolën, unë nuk isha i përfshirë me asnjërën palë prandaj unë i kam qëndrimet dhe besimet e mia politike që do t’i shtyj pa marrë parasysh ku jam ku do të jem”, tha Ahmeti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme