Google ADS

Thaçi: Nuk mund ta ndryshojmë BE-në, duhet të ndryshojmë vet

21:28 | 5 Shkurt 2018
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përsëritur qëndrimin e tij se ratifikimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi ka qenë një kriter i padrejtë që i është vënë Kosovës nga Bashkimi Evropian, për liberalizimin e vizave. I pari i vendit ka thënë se tani i mbetet Kosovës ta ratifikojë Demarkacionin për të sjellë zgjidhjen për qytetarët.

“Demarkacioni ka qenë kriter i padrejtë, por tashmë është vënë nga Bashkimi Evropian. Ne nuk mund ta ndryshojmë Bashkimin Evropian”, ka thënë Thaçi, gjatë një interviste në RTV Dukagjini.

“Duhet të ndryshojmë vet. Duhet ta kalojmë Demarkacionin në Kuvendin e Kosovës”, ka porositur i pari i vendit.

“Duke e kaluar Demarkacionin në Kuvendin e Kosovës, ne i japim të gjitha argumentet partnerëve tanë që të na mbështesin. Dhe i mohojmë çdo argument oponentëve për të na refuzuar”, ka theksuar Thaçi, raporton Gazeta Express.

Presidenti kosovar ka thënë se duhet të ndërtohet një konsensus i plotë evropian në mbështetje të Kosovës për liberalizimin e vizave. Pastaj, sipas tij, është veç çështje procedurale se kur ndodh.

Thaçi është shprehur optimist se liberalizimi i vizave për kosovarët “me siguri se ndodh brenda vitit”.

Megjithatë, numri një i Kosovës ka thënë se Bashkimi Evropian është vonuar me Kosovën.

“Kam qenë kritik, se të ardhmen evropiane të Kosovës e ka vonuar. Jo vetëm të Kosovës, por të Ballkanit Perëndimor”, është shprehur Thaçi.

“Duke u vonuar, Bashkimi Evropian ka krijuar hapësira dhe vakum për depërtimin e elementëve të tjerë, të ideologjive joevropiane, joeuroatlantike”, ka vlerësuar ai.

Por, ai ka porositur se Kosova tani duhet t’i kryejë punët e veta.

“Tani punët tona duhet tona duhet t’i kryejmë ne vet. Sa më shpejt që i kryejmë, Bashkimi Evropian do të reagojë më shpejt”, ka thënë Thaçi.

“Por, ne nuk mund ta ndryshojmë Bashkimin Evropian. Duhet ta votojmë Demarkacionin – kjo është zgjidhja”, është shprehur ai.

Thaçi ka parashikuar se nëse ratifikohet demarkacioni brenda këtij muaji, edhe çështja e vizave do të kryhet brenda këtij viti.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme