Google ADS

Deputetët e arsyetojnë punën përmes nxjerrjes së rezolutave

08:11 | 3 Shkurt 2018
Arbresh.info

Të shumta janë rezolutat të cilat po nxirren nga Kuvendi i Kosovës, e të cilat pothuajse nuk po gjejnë zbatim, shkruan arbresh.info.

Rezoluta e fundit është miratuar tëenjten për ndotjen e ajrit në kryeqytet përmes së cilës u vendos  që ambienti të jetë prioritet i lartë për Qeverinë e Kosovës.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala ka thënë për arbresh.info se nxjerrja e rezolutave nga Kuvendi i Kosovës tregon mos fuqinë e deputetëve për marrje të vendimeve.

“Kjo është më tepër si përpjekje për t’u arsyetuar për gjendjen e krijuar se sa qëështë një kontribut për zgjidhje. Nuk ka ndonjë efekt dhe nuk ka kuptim kjo.Unë e shoh që deputetët nxjerrin rezoluta në pamundësi të asaj që të bëjnë punë konkrete . Rezoluta për ta është mënyra më e mirë për ta arsyetuar punën e tyre”, ka thënë Shala.

Ndërsa në Institutin Demokratik të Kosovës thonë se për fat të keq rezolutat nuk kanë fuqi ligjore dhe se mbesin në vullnetin e Qeverisë dhe të Kuvendit se a dëshirojnë këto dy institucione me i respektu apo jo.

Artan Murati nga ky institut ka bërë të ditur për arbresh.info se në Kosovëështë krijuar një praktikë jo e mirë e mosrespektimit të rezolutave.

“Në Kosovë është krijuar një praktikë e keqe të mos respektimit të rezolutave të Kuvendit gjë që tregon edhe një mos balancë në mes ekzekutivit dhe legjislativit. Mirëpo në shumicën e rasteve sidomos në demokraci të zhvilluara respektimi rezolutave nga ekzekutivi është një çështje të cilën nuk vihet në pyetje pra kur tregohet një vullnet politik i Kuvendit atëherë zakonisht ai vullnet merret edhe trasohet tutje ose respektohet prej ekzekutivit. Në rastin e Kosovës jemi duke e hasur shpesh këtë punë, mirëpo kjo lë të nënkuptohet që nuk ka ndoshta edhe një seriozitet të mjaftueshëm politike për një gjë të tillë”, ka thënë ai.

Por, pavarësisht kësaj Murati ka pohuar se nxjerrja e rezolutave nuk duhet të ndërpritet.

“Nuk duhet me u ndërpre këto rezoluta. Unë mendoj se Kuvendi nuk duhet mos me nxjerrë rezoluta për faktin se është një prej instrumenteve në bazë të së cilave Kuvendi e tregon edhe pozicionin e vet mbi një çështje të caktuar , mirëpo unë mendoj se duhet të ndryshojë mendësia politike dhe ekzekutivi ta merr Kuvendin mëseriozisht edhe mbi tëgjitha duhet të ketë njëseriozitet sa i përket partive politike të cilat janë të përfaqësuara në Kuvend dhe ato sidomos ato të cilat janë duke udhëhequr me vendin”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i ‘Çohu’Arton Demhasaj deklaron për arbresh.info se rezolutat asnjëherë nuk prodhojnë ndonjë efekt.

“Gjithmonë rezolutat nuk kanë karakter obligues asnjëherë dhe në kuadër të kësaj nuk është që prodhojnë ndonjë efekt ose ndonjë pasojë juridike.Rezolutat asnjëherë nuk kanë aprovu obligime dhe kanë me mbet si të tilla, kështu që konsideroj që veprime të tilla janë të kota”, ka thënë Demhasaj.

Sipas tij rezolutat nxirren edhe për çështje formale.

“Rezolutat shpesh herë nxirren edhe për çështje formale, ceremoniale sa me u duk që po diskutohet për diçka dhe në fund ai diskutim përfundon me një rezolutë me të cilën u bëhet thirrje organeve apo institucioneve kompetente për me i marr masat e duhura”, ka pohuar ai.

Kuvendi i Kosovës rezolutën e fundit e ka miratuar për ndotjen e ajrit më 73 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim/J.Zhuniqi/arbresh.info/

 

 

Të ngjashme