“Para se të votohet për demarkacionin të ketë dakordim paraprak”

00:30 | 3 Shkurt 2018
Trina Galanxhi

Deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti në Interaktiv të KTV-se ka thënë se është momenti i fundit për politikën kosovare që ta zë hapin për demarkacionin, por ajo nuk duhet të sillet në Kuvend pa konsensus paraprak ndërmjet partive poltike.

Ai ka thënë se javën që vjen kjo temë do të shtrohet në Kuvend, ndërsa ka bërë thirrje që të merrë përgjigje pozitive.

“Sipas të gjitha gjasave javën që vjen kjo temë do të shtrohet në Kuvend, ky është moment i fundit për politikën kosovare që ta nxënë hapin për këtë temë. Në mënyrë që kjo çështje të trajtohet pozitivisht në BE. Nuk kemi pasur së fundmi ndonjë takim për këtë temë. PDK ka pasur kaherë qëndrimin për shënjimin e kufirit. Në këtë mandat kemi kërkuar si parti që të marrim përgjegjësitë tona dhe të bëhet një konsensus i përbashkët. Deklarimet e liderëve tani janë më të mira. Jemi në prag të Pavarësisë dhe duhet si politika të jemi të përgjegjshëm”, është shprehur Pajaziti në Interaktiv të KTV-së.

Pajaziti thotë se demarkacioni ka gjasë që të sillet në seancën e radhës në Kuvend, ndërsa shton se është e pajustifikueshme vonesa që i është bërë kësaj teme.

“Ka mundësi që në seancën e radhës të jetë në Kuvend. Personalisht e kam thënë se nuk do të kishte mirë që kjo marrëveshje të mos sillej në Kuvend pa ndonjë dakordim. Nëse ka një reflektim me siguri do të ketë takime rreth kësaj. Shumë deputetë nuk do të donin që të sillej në Kuvend pa dakordim. Po shpresoj se gjatë kësaj jave të marrë fund çështja e demarkacionit, pasi siç dihet kjo është një nga kushtet për liberalizim të vizave. Është një vonesë e pajustifikueshme, kjo është koha e fundit që kjo çështje të trajtohet në mënyrën më të lartë”, është shprehur ai.

Ai thotë se ka një tendencë për ta zgjidhur çështjen e demarkacionit.

“Është mirë nëse gjendet ndonjë shteg dalës nga kjo situatë. Kjo është një marrëveshje e punuar nga dy qeveritë e dy vendeve. Kjo marrëveshje duhet të ratifikohet ose të mos ratifikohet. Më shumë se kaq nuk kemi se çfarë të bëjmë. Nëse ka një dëshirë që kësaj t’i bashkëngjitet edhe një deklaratë si Kuvend. Më duket se ka tendenca për të gjetur një rrugë dalëse për të dalë prej kësaj situate. Ditët në vijim duhet njëfarë konsensusi, është krijuar një momentum i mirë. Liderët duhet ta shfaqin këtë vullnet”, ka thënë Pajaziti.

Pajaziti e ka cilësuar shumë pozitive vizitën që do ta bëjë kryeministri i Malit të Zi me rastin e 10 vjetorit të Kosovës.

“Një vizitë e tillë është shumë pozitive, e kryeministrit malazez. Nuk duhet të harrojmë se Mali i Zi është njëri nga shtetet e para që na kanë njohur, e kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme”, thotë ai.

Ai thotë se ngjarjet në dy vitet e fundit në Kosovë, demarkacioni dhe Gjykata Speciale ka lëkundur besimin e Evropës në Kosovën.

“Kemi ardhur në disa situata të palakmueshme në vitet e fundit. Zoti Bulliqi, nuk e di nëse është si ekspert apo si politikan. Personalisht jam i prirur t’iu besoj ekspertëve që nuk janë pjesë e politikës. Nuk kam pa asgjë të re kur këta kanë raportuar për demarkacionin. Kemi përgjegjësi politike dhe nuk mund t’i ndryshojmë fatkeqësitë historike, dhe këtë e dinë të gjithë. Nuk mund t’i ndreqim kufijtë. Krejt çka është zhvilluar në dy vitet e fundit e ka lëkundë besimin e tyre në ne (BE)”, është shprehur ai./koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme