Zv/kryeministri: Koha e fundit që deputetët të votojnë demarkacionin

22:47 | 2 Shkurt 2018
M. A.

Është koha e fundit për ratifikim të demarkacionit me Malin e Zi paralajmëron zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj. Sipas tij, Kosova me këtë marrëveshje nuk humb territor.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj vazhdon të thotë se Kosova nuk humb territor me ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi. Për këtë çështje ai kërkon konsensus.

Thekson se Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave dhe se është koha e fundit për ratifikim të demarkacionit me Malin e Zi.

“Është koha e fundit që deputetët e Kuvendit të Kosovës ta votojnë marrëveshjen dhe që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza drejt Europës”, tha Hoxhaj.

“Është më me rëndësi se si në Kuvend të Kosovës te kemi një votë i cili mbështet një solucion i cili në fund të fundit do të ua mundësoj qytetarëve të Kosovës një të drejtë bazike sikurse që është liria e lëvizjes’, tha Hoxhaj për televizionin 21.

Nënkryetari i PDK’së ka thënë se kjo parti vazhdon të jetë pro kësaj marrëveshje.

“Kam shpresë se gjatë ditëve të ardhshme mund të ketë zhvillime pozitive në këtë drejtim”, tha Hoxhaj.

Marrëveshja për demarkimin e kufirit me Malin e Zi është arritur në Vjenë më 2015.

Marrëveshjen e kanë nënshkruar, për palën kosovare, atëherë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, atëherë zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiq, dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviq.

Ndërkohë duhet siguruar 80 vota në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit, që BE’ja e kishte vënë kusht për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme