Google ADS

Krasniqi tregon se çka mund të ndodhë me nënkryetaren e Kuvendit nga Vetëvendosje

00:23 | 2 Shkurt 2018
Trina Galanxhi

Grupi i të dorëhequrve të Lëvizjes Vetëvendosje, tashmë ka kërkuar të formojë një grup të ri parlamentar.

Burime të KTV-së kanë thënë se ata kanë dërguar në administratën e Kuvendit kërkesën për krijimin e një grupi të ri parlamentar.

Në këtë grup bëjnë pjesë Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu, Dukagjin Gorani, Aida Dërguti, Shqipe Pantina, Faton Topalli, Fisnik Ismaili, Driton Çaushi dhe Donika Kadaj.

Të gjithë këta vazhdojnë të mbesin deputetë të VV-së, por disa prej tyre kanë dhënë dorëheqje nga disa poste. Aida Dërguti, vazhdon të jetë nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosje.

Por tashmë mësohet se ajo mund të japë dorëheqje nga ky post ose edhe të kërkohet shkarkimi i saj.

Albert Krasniqi që monitoron punën në Kuvend, tregoi për Koha.net mënyrën se s’i mund të rrjedhin tani zhvillimet në VV.

“Vetëvendosje duhet të bëjë shkarkimin e Aida Dërgutit ose të kërkojë dorëheqjen e saj”, tha ai.

Por duke e ditur që deputetja Aida Dërguti, nuk ka marrë pjesë më në asnjë mbledhje të Kryesisë që nga dorëheqja e saj, Krasniqi tha për Koha.net se beson se Dërguti do të japë dorëheqje.

“Në rast se nuk jep dorëheqje, atëherë shkarkimi bëhet sipas mënyrës së zgjedhjes. Që do të thotë duhet të votojnë shumica e deputetëve të Kuvendit”, përfundoi Krasniqi.

Koha.net ka provuar sonte mbrëma të flas edhe me Aida Dërgutin për të parë qëndrimet e saj, por ajo nuk e ka hapur telefonin./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme