Google ADS

Gati lista e të burgosurve që do t’i falë presidenti

18:21 | 31 Janar 2018
Arbresh.info

Shërbimi Korrektues i Kosovës është duke përgatitur listën e të burgosurve të cilët kërkojnë mëshirën e presidentit të vendit, në prag të dhjetë vjetorit të Pavarësisë së vendit.

Ende nuk dihet numri i të burgosurve, të cilët do të kërkojnë nga i pari i vendit, Hashim Thaçi faljen e pjesës së dënimit që u ka mbetur, mirëpo kërkesat e disa prej tyre janë nisur në adresë të SHKK-së.

Zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës i kanë thënë “Arbresh.info” se janë disa kërkesa të të burgosurve të cilat tashmë janë dorëzuar në këtë institucion.

“Listat janë duke u dërguar nga Shërbimi Korrektues në bazë të rregullores nr.02 /2017 për kritere dhe procedurat për faljen e personave të dënuar të aprovuar nga Presidenti. Nuk e dimë ende numrin e saktë pasi qe ende nuk kemi pranuar të gjitha kërkesat e të dënuarve nga institucionet korrektuese”, kanë bërë të ditur zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Zyrtarë për media të Shërbimit Korrektues kanë bërë të ditur se janë në pritje edhe të kërkesave të tjera dhe më pas kjo listë t’i dërgohet presidentit për dekretim.

“Në momenti kur dosjet janë të kompletuar ne do i përcëllim bazuar ne Rregulloren nr.02 /2017 për Kritere dhe Procedurat për faljen e personave të dënuar”, bënë të ditur SHKK.

Ndryshe, falja e të burgosurve nisi në vitin 2009 nga ish-Presidenti Sejdiu në njëvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Kjo traditë ka vazhduar edhe nga presidentët tjerë. Mirëpo ish-presidentja Atifete Jahjaga e kishte thyer këtë traditë në vitin 2015 dhe 2016, ku nuk kishte falur asnjë të burgosur.

Jahjaga vetëm në vitin 2014 kishte bërë faljen e parë të të burgosurve dhe të vetme si presidente.

Ndërkohë, vitin e kaluar në prag të përvjetorit të Pavarësisë, Zyrës së Presidentit i kishin shkuar 694 kërkesa nga të burgosurit për faljen e dënimit të tyre. Prej këtyre 694 kërkesave, presidenti Thaçi pati falur vetëm 12 të burgosur./Gita Lushi/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme