Google ADS

Avokati i Popullit: Kuvendi ishte i njoftuar për ndotjen e ajrit, por nuk diskutoi fare

16:25 | 31 Janar 2018
M. A.

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme për të diskutuar për ndotjen e ajrin në vend, me theks të veçantë në Prishtinë dhe disa komuna përreth.

Megjithatë, Kuvendi ishte i njoftuar zyrtarisht me problemin e ndotjes. Avokati i Popullit Hilmi Jashari ka thënë se vazhdimisht e ka njoftuar Kuvendin për gjendjen e ajrit.
Këtë shqetësim Jashari ka thënë se e ka paraqitur në raportin e vitit 2016 dorëzuar Kuvendit.

Sipas tij, në raportin e vitit 2016 Instituti i Avokatit të Popullit i është referuar ekskluzivisht problemit me ndotjen e ajrit. Madje ka thënë se askush nuk diskutoi për pjesën e raportit që flet për ndotjen.

“Në raportin e vitit të kaluar 2016 që i është dorëzuar Kuvendit ku patëm një seancë plenare me diskutim 3-orësh, raporti e ka një nëntitull të veçantë që i referohet ekskluzivisht ndotjes së ajrit. Aty janë paraqitur të gjitha këto probleme që sot po diskutohen”, ka thënë Jashari për Insajderin.
Madje, ai ka deklaruar se me pjesën e raportit ku flet për ndotjen e ajrit, askush nga deputetët nuk ka diskutuar në seancën plenare që i është kushtuar këtij raporti.

“Mirëpo, është pak paradoksale kur raporti i Avokatit të Popullit nuk trajtohet në mënyrë meritore. Kjo pjesë nuk është diskutuar fare kur është dorëzuar raporti në Kuvend”, ka thënë Avokati i Popullit Hilmi Jashari.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme