Lajm i mirë për pacientët e QKU-së: Nis trajtimi i infarktit dhe stentimi emergjent, 24 orë në ditë

15:35 | 31 Janar 2018
Arbresh.info

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës një numër i konsiderueshëm i pacientëve janë duke pritur për intervenime në zemër. Madje deri para një muaji lista e pritjes së tyre për stientime dhe koronarografi ka zgjatur deri në një vit. Por siç duket, pritjet e pacientëve që pësojnë infarkt e që kanë nevojë për stentë tash e mbas nuk do të jenë të gjata. Kjo ngase Kardiokirurgjia dhe Kardiologjia Invazive do të nisin trajtimin e infarktit dhe stentimin emergjent, 24 orë në ditë, në shtatë ditë të javës.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili po zotohet se që nga java e ardhshme klinikat si ajo e Kardiologjisë Invazive dhe Kardiokirurgjia do të nisin me trajtimin e pacientëve 24 orë në ditë. Në këtë mënyrë rastet e sulmeve në zemër si dhe stentimet do të kryhen brenda një dite në QKUK. Ismaili, thotë se më këtë punë do të ulen dukshëm shpenzimet e qytetarëve dhe rastet e shërimit të këtyre sëmundjeve jashtë QKUK’së.

“Duke i trajtuar rastet e tilla në çdo kohë, ne do t’i ulim shpenzimet e qytetarëve, do të ndalim dërgimin e tyre jashtë QKUK-së dhe çfarë është më e rëndësishmja, do të përfitojmë në kohë që problemet e tyre kritike të trajtohen menjëherë”, ka shkruar ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Ai ka shkruar se në takimin punues me stafin e Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive, pas përgatitjeve që janë bërë, puna do të nisë nga java tjetër.

“Vetëm vitin e kaluar janë shpenzuar rreth 2 milionë euro jashtë vendit për trajtimin e sëmundjeve të kësaj natyre. Sot, qytetarët tanë do t’i trajtojmë në Kosovë, kurse paratë do t’i përdorim për modernizimin e klinikave tona. #PërShëndetësinëQëDuam”, ka shkruar Ismaili.

E ndërkohë, deri para tre muajve në listat e pritjes së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për stenta dhe koronarografi kanë qenë hiç më pak se 1 mijë e 52 pacientë. Por, ky numër në janarin e këtij vitit ka rënë në 74 pacientë. Kjo pas rishqyrtimit të listave që Klinika e Kardiokirurgjisë së QKU’së e ka bërë gjatë këtij muaji. Shumica e pacientëve i kanë kryer koronarografitë dhe stentimet jashtë vendit apo në spitalet private.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme