Kosova do të jetë pjesë e strategjisë së zgjerimit të BE-së

08:53 | 31 Janar 2018
Arbresh.info

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se Kosova do të jetë pjesë e strategjisë së zgjerimit të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ajo ka thënë se për perspektivën e shteteve të Ballkanit Perëndimor ka një angazhim të shtuar edhe nga ana e Bullgarisë, e cila udhëheq aktualisht presidencën e Bashkimit Evropian.

“Strategjia e Zgjerimit e Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor synon të ofrojë një perspektivë të qartë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke pasur parasysh se Kosova është pjesë përbërëse e Ballkanit Perëndimor dhe duke pasur parasysh angazhimin e institucioneve tona për përmbushjen e kritereve me qëllim të avancimit të procesit të integrimit, besoj dhe pres që edhe Kosova do të jetë pjesë e kësaj strategjie. Po ashtu, për perspektivën e shteteve të Ballkanit Perëndimor ka një angazhim të shtuar edhe nga ana e Bullgarisë, e cila nga fillimi i këtij viti ka marrë udhëheqjen e presidencës së Bashkimit Evropian”, ka thënë ajo për gazetën “Epoka e Re”.

Deliu-Kodra ka shtuar se me qëllim të arritjes së një perspektive të qartë evropiane, institucionet e vendit duhet të angazhohen në lobim tek shtetet të cilat po paraqesin problem në procesin e integrimit, posaçërisht tek pesë shtetet të cilat s’e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

“Tani më të gjithë e dimë qëndrimin politik të Spanjës në raport me Kosovën, sidomos tash pas zhvillimeve jo fort të largëta që ishin në Spanjë lidhur me referendumin për pavarësi nga ana e Katalonisë. Por, shpresoj shumë se do të gjendet një mundësi për ta tejkaluar këtë situatë, me angazhimin e shteteve të tjera të Bashkimit Evropian të cilat janë të prera, se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë perspektivë të qartë evropiane”.

Ndërsa sa i përket liberalizimit të vizave, ajo ka shprehur optimizëm se institucionet e Kosovës shumë shpejt do t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme me qëllim të përmbushjes së kritereve të mbetura, në mënyrë që të arrihet treni i fundit në këtë proces.

“E kemi të gjithë të qartë se cilat janë kriteret e papërfunduara nga ana e institucioneve tona për procesin e liberalizimit të vizave. Shpresoj se ne shumë shpejt do t’i ndërmarrim veprimet e nevojshme me qëllim të përmbushjes së kritereve të mbetura, në mënyrë që ta zëmë trenin e fundit në këtë proces. Me një angazhim maksimal tonin për realizimin e kërkesave, besoj se do të dëshmojmë se jemi të gatshëm të fitojmë në këtë proces”./Epoka e Re/

Të ngjashme