Pacolli: Nuk mund të jemi përgjegjës për parkingje, mund të shkaktohet kaos

00:36 | 31 Janar 2018
Trina Galanxhi

Nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se Komuna nuk është përgjegjëse për gjetjen e parkingjeve për veturat që do t’u ndalohet hyrja në Prishtinë shkaku i ndalesës së trafikut kundër ndotjes.

Ai ka thënë se nga kjo masë do të goditet kryesisht zona e parë e kryeqytetit dhe se është i vetëdijshëm se mund të shkaktohet kaos në komunikacion gjatë zbatimit të kësaj urdhërese.

Ai ka shtuar se inspektorët dhe policia do të jenë në çdo rrugë e çdo udhëkryq për të orientuar qarkullimin e veturave dhe për të ndaluar hyrjen e tyre nëpër rrugët tashmë të ndaluara për qarkullim.

“Jemi të vetëdijshëm për kaosin që do të shkaktojmë. Por u bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës që pa ndonjë nevojë të mos nisen drejt Prishtinës me makina. Qytetarët do ta mbështesin vendimin tonë”, ka thënë Pacolli.

“Vijnë deri diku, por nuk është në kompetencën tonë që të gjejmë parkingje për ata që vijnë në Prishtinë”, ka shtuar Pacolli kur është pyetur për qytetarët që vijnë jashtë Prishtinës.

Gjatë ndalesës do të qarkullojnë autobusët e Trafikut Urban që do t’i bartin qytetarët nëpër qytet. Shpenzimet e autobusëve i ka marrë përsipër qeveria e Kosovës.

Kjo ndalesë, sipas Pacollit, pritet të zgjasë deri të premten kur parashihen të reshura atmosferike./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme