Nisma antikorrupsion në Arabinë Saudite gjeneroi 106 mld USD

00:11 | 31 Janar 2018
Trina Galanxhi

Operacioni antikorrupsion në Arabinë Saudite ka gjeneruar 106.7 miliardë dollarë si pasojë e marrëveshjeve, tha prokurori i përgjithshëm i mbretërisë.

Sheiku Saud al Mojeb tha se 56 nga 381 persona të marrë në pyetje nga 4 nëntori, mbeten në arrest. Të tjerët janë shpallur të pafajshëm apo kanë pranuar fajin duke dorëzuar prona, para, siguracione apo asete të tjera, shtoi ai.

Sheiku Mojeb nuk përmendi asnjë emër, por raportohet se mes tyre ka princa, ministra dhe biznesmenë. Ditët e fundit, investitorët miliarderë Princi Alëaleed bin talal dhe Alvalid al Ibrahim, pronar i rrjetit të televizionit satelitor arab MBC, janë liruar nga vendi ku mbaheshin në arrest, hoteli Ritz Carlton në lagjen diplomatike të riadit.

Të dy ata kanë insistuar se janë të pafajshëm, por burime zyrtare saudite nënvizojnë se ata kanë rënë dakord për marrëveshje financiare pasi kanë pranuar shkelje të paspecifikuara. Mes të liruarve të tjerë janë princi Miteb Bin Abdullah, djali i mbretit të ndjerë Abdullah, që sipas burimeve i ka dhënë shtetit në këmbim të lirimit asete me vlerë më shumë se 1 miliardë dollarë; dhe ministri i shtetit ibrahim al assaf që raportohet se është shfajësuar nga akzuat.

0Kryeprokurori, sheiku Mojeb, tha se kishte refuzuar marrëveshjet financiare me 56 individët që mbahen ende në arrest për shkak të rasteve të tjera kriminale apo deri sa të përfundojë procesi i hetimit.

Ata besohet se janë transferuar në një burg nga Ritz Carlton, që do të rihapet për publikun muajin e ardhshëm. Ministri saudit i financave kishte thënë javën e shkuar se paratë e mbledhura nga marrëveshjet, do të përdoreshin për të financuar një program 13.3 miliardë dollarësh për të ndihmuar qytetarët sauditë që të përballojnë koston në rritje të jetesës. Operacioni antikorrupsion është iniciuar nga princi i kurorës Mohammed bin Salman, djali 32-vjeçar i mbretit Salman./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme