Kritikohen propozimet e ministrit Shala

09:45 | 17 Mars 2015
Arbresh.info

Prishtinë, 17 mars – Pesë etnologë, dy arkitektë, tre shkrimtarë, një arkeolog, një etnomuzikolog, një skicograf dhe një skulptore janë propozimet e ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, për përbërjen e Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Me arsyetimin se propozimi i deputetit Kujtim Paçaku paraqet konflikt interesi, mungon minoriteti serb dhe CV-të janë të pakompletuara, javën e kaluar Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë e ktheu prapa listën që iu propozua.

Por tash ajo kritikohet për përbërjen e saj. Pos Paçakut, në listën e propozuar janë etnologët Ukë Xhemaj, Bashkim Lajçi, Shpresa Siqeca, Lumnije Kadriu e Fisnik Kamberi, arkeologu Shafi Gashi, arkitektët Luan Nushi e Visar Haxhibeqiri, shkrimtarët Arif Demolli dhe Ismet Markoviq, skicografi Fitim Isufi, skulptorja Arjeta Miftari dhe etnomuzikologu, Visar Munishi.

Arkeologu Kemajl Luci ka thënë se nuk ka koment për emrat e përfshirë në listë, ka dhënë propozimin e tij për mënyrën sesi do të duhej të përzgjidheshin ata.

“Anëtarët e propozuar duhet të paraqesin CV-në për punën e deritanishme dhe kontributin për trashëgiminë e Kosovës. Mendimi im është se anëtarët e Këshillit duhet të përzgjidhen me anë të konkursit, të cilët do t’i përzgjidhte komisioni meritor”, ka thënë Luci.
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore është jofunksional qysh prej korrikut të 2012-s ,kur kishte mbetur pa asnjë anëtar.

Shtatëshja në përbërje të Edi Shukriut, Zymer Nezirit, Branislav Gërbiqit, Enis Kervanit, Tahir Emrës, Fejaz Drançollit dhe Nimon Alimusajt, që nga themelimi i këtij organi nuk ishte takuar asnjëherë e plotë. Qysh në ditët e para piktori Tahir Emra kishte refuzuar të jetë pjesë e këtij Këshilli. Vdekja e Nimon Alimusajt kishte zbritur në pesë numrin e anëtarëve të tij, ndërsa Fejaz Drançolli dhe Enis Kervan kishin dhënë dorëheqjen gjatë vitit 2010.

Vehbi Miftari, këshilltar i lartë politik i ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, të hënën vonë në përgjigjen e tij të ka thënë se “propozimet e Ministrisë për KKTK janë përzgjedhur në bazë të kritereve profesionale dhe në bazë të profileve që lidhen me trashëgiminë kulturore”.

“Kemi historian, arkeolog, arkitekt, etnomuzikolog, etnolog, gjeograf, gjeolog etj. Kemi dërguar edhe të gjitha CV-të për kandidatët e propozuar krahas kërkesave të Komisionit parlamentar”, ka qenë përgjigjja e tij./Arbresh.Info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme