Google ADS

AGK dënon gjuhën e mediumit serb ku shqiptarët i quan terroristë

16:39 | 29 Janar 2018
M. A.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar gjuhën e përdorur nga mediumi serb, Most, me seli në Zveçan, lidhur me grafitet e vizatuara në fshatin Uglar të Komunës së Fushë Kosovës.

Most e ka titulluar artikullin “Terroristët shqiptarë kërcënojnë Marko Gjuriqin”.

Më pas në portalin e Most është përdorur edhe shprehja “Siptari” që është ofendues ndaj shqiptarëve.

“Po ashtu, ky medium ka shkelur kodin etik duke përdorur po ashtu termin “terroristë” duke e cilësuar vet ky medium se rasti në fjalë ka të bëjë me ‘terrorizëm’”.

“TV Most ka shfrytëzuar burimin e informacionit nga një medium tjetër për këtë ngjarje, Radio KiM-it në këtë rast, por vërehet hapur se titulli ofendues ka qenë i redaksisë së këtij televizioni”, thuhet në reagimin e AGK-së.

“AGK konsideron se TV Most duke përdorur këtë term ofendues për Shqiptarët ka thyer jo vetëm standardet etike por edhe normat ndërkombëtare që ndalojnë gjuhën e urrejtjes dhe të diskriminimit”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme