Në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës stafi po ballafaqohet me probleme, në rastet kur pacientëve të shumtë u kërkohet t’i kryejnë analizat laboratorike. Laboratori aty, është menduar të jetë për rastet emergjente.
Por, pavarësisht kësaj, sipas doktorit Agron Muçolli, përgjegjës për laboratorin emergjent, shumica e analizave që kryhen aty, janë raste “të ftohta” (jo emergjente), ç’gjë, sipas tij, e pamundëson realizimin e punës në mënyrë adekuate nga ana e laborantëve aty.
“Brenda ditës kemi deri në 150 raste e që është frekuencë e lartë. Kemi edhe testet urgjente që punohen, si infarkte, e të ngjashme. Ky është shërbim kujdestar, mirëpo është i stërngarkuar me raste jo emergjente, që ua zënë radhën atyre që janë vërtet raste emergjente, por që duhet të presin të hyjnë në serinë e punës. Kjo është një mbingarkesë e madhe”, thotë Muçolli.
Rastet jo emergjente, thekson ai, vijnë me udhëzim të mjekut, andaj edhe laborantët nuk mund t’i refuzojnë.
“Po ashtu, edhe kushtet e punës në laborator nuk janë si duhet. Por, brenda mundësive, sipas përgjegjësive, mundohemi t’i realizojmë të gjitha analizat laboratorike. Aparatura është mjaft e vjetërsuar dhe e amortizuar”, thekson Muçolli.
Në anën tjetër, Shemsi Vesli, anëtar i Bordit drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se duke e marrë parasysh rëndësinë e laboratorëve, ku në fakt është hapi i parë për nisjen e trajtimit të pacientëve, aty do të duhej të kishte pajisje të fjalës së fundit të teknologjisë.
“Është i stëngarkuar laboratori i Klinikës së Biokimisë, e sidomos ai i Emergjencës. Aty bëhen analiza të ndryshme dhe ka kërkesa që nuk janë në përputhje me sëmundjen. Kemi problem edhe me klinika, e që këtë shqetësim e kam ngritur edhe në instancat më të larta”.
“Unë mendoj që një ndër prioritetet është që të përkrahet diagnostika dhe duhet të jetë fjala e fundit e teknologjisë, pasi këtu diagnostikohet pacienti”, thekson Veseli.
Sipas Veselit, aktualisht në këtë laborator po punohet me aparaturë të stërvjetruar që nuk i përmbush standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Fluksi është shtuar shumë pasi që jemi pajisur me reagentë(material i nevojshëm për kryerjen e analizave laboratorike). Standardi i ulët i qytetarëve bën që fluksi të jetë i papërballueshëm, pasi që në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës shuma që paguhet për këto analiza, krahasuar me spitalet private, është simbolike”, shprehet Veseli.
Klinika Emergjente është qendër terciare referente për tërë Kosovën. Ndonëse e tillë, ajo në vazhdimësi është përballur me probleme të ndryshme, si mungesë barnash nga lista esenciale, mungesë stafit të mesëm, si dhe mungesë e hapësirës së nevojshme për trajtimin e pacientëve. Fluksi i pacientëve aty, siç thonë profesionistë shëndetësorë, shpeshherë është i papërballueshëm. /rel/Telegrafi/
Kurti vendos edhe gurthemelin e fundit në Podujevë, kësaj ra...
Kumbaro nderon kontributin e gjithë krahinës së Gjirokastrës...
Aprovohet struktura e tarifave të energjisë termike për sezo...
Policia kërkon ndihmë në gjetjen e një gruaje të dyshuar për...
Çitaku: PDK do ta padisë për shpifje deputeten e VV-së
Goditet nga vetura një grua në Prizren, dërgohet në gjendje ...