Google ADS

Policia e Kosovës thotë se nuk ekziston asnjë raportim për dhunimin e një të riu malazez

21:36 | 27 Janar 2018
Arbresh.info

Komandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Gjakovës, Krist Gjokaj ka thënë se nuk ka asnjë informatë për deklarimin e një të riu nga Mali i Zi se ishte robëruar dhe përdhunuar për pesë muaj në një apartment në Gjakovë.

Policia malazeze ka konfirmuar se janë në komunikim me Interpolin për të zgjidhur këtë rast dhe të gjejnë e të sjellin para drejtësisë kryesit e kësaj vepre.

Por, pavarësisht se Policia e Malit të Zi është duke u marrë me rastin, Policia e Kosovës dyshon se rasti nuk ka ndodhur në realitet. Komandanti i policisë në Gjakovë, Krist Gjokaj dyshon për “lajm të rremë”.

“Nuk kemi raportu diçka të tillë. Absolutisht tek ne nuk ka diçka të raportuar për një rast të tillë. Po dyshoj mos eventualisht mos është diçka si ‘fake news’”, deklaroi Gjokaj për Insajderin.

Ai insistoi se Policia e Kosovës në Gjakovë nuk ka asnjë informatë nëse ky rast ka ndodhur.

“Asnjë informatë nuk e ka Policia e Gjakovës, sepse sipas mediave, po thuhet që rasti ka ndodhur në muajin janar, e që i bie se nuk është shumë larg në kohë që ne me harru apo diçka e tillë”, u shpreh Gjokaj.

Forumi LGBT “Progres”, me bazë në Mal të Zi, ka marrë deklaratën e të riut, i cili citohet të ketë thënë se rasti ka nisur shtatorin e vitit 2017, kur ishte vënë në kontakt për herë të parë me E.G. nga Kosova, përmes rrjetit social Facebook.

Ndërsa, gjithnjë sipas deklaratës së 20 vjeçarit malazez, janarin e vitit 2018, pas raportimit të fqinjit në banesën ku ai ishte ngujuar, Policia e Kosovës paraqitet në banesë dhe e dërgon djalin në stacionin policor për të marrë në pyetje.

“Por, situata merr një kahe tjetër, pasi që, siç pretendon i riu malazez, shërbyesit policorë, pasi marrin deklaratën e tij dhe e kuptojnë se i përket komunitetit LGBTI, e sulmojnë fizikisht atë. Katër policë pastaj e rrahin atë dhe e përqeshin, dhe refuzojnë t’i marrin deklaratën dhe të marrin parasysh rastin. Me këtë rast, ai u godit me grushte të mbyllura e të hapura në kokë, në stomak dhe në gjoks”, thotë Forumi LGBT “Progres”.

“Progres” thotë se i riu, me të dalë nga stacioni policor, ka lënë Kosovën dhe është kthyer në Mal të Zi ku ka kërkuar ndihmën e këtij Forumi. /Insajderi.com

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme