Google ADS

Selmanaj tregon planin e Haradinajt për vizitën e kryeministrit të Malit të Zi

21:28 | 27 Janar 2018
Arbresh.info

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Driton Selmanaj nuk pret ndryshim të qëndrimit të Malit të Zi me vizitën në vend të kryeministrit Dushko Markoviq.

Kryeministri Markoviq do të vizitojë Kosovën në fillim të muajit të ardhshëm.
Deputeti i LDK’së Driton Selmanaj thotë Mali i Zi e ka kryer çështjen e përcaktimit të vijës kufitare me Kosovën.

“Nuk e di çfarë zgjidhje mund të ofrojë Kryeministri i Malit të Zi kur ata veç e kanë përfunduar këtë tematikë. Për Malin e Zi kjo tematikë është e mbyllur dhe vetëm pritet që Kosova ta ratifikojë një marrëveshje ndërkombëtare të cilën e kanë realizuar ata”, tha ai.

“Unë nuk e besoj që ata do të vijnë për zgjidhje. Më tepër e shoh si një lojë politike të kryeministrit aktual për të thënë që: e ftova, provuam me bisedu dhe si duket zgjidhja e vetme është prapë marrëveshja e vjetër”, tha Selmanaj për RTV21.

Ai thotë se çështja e demarkacionit me Malin e Zi po zvarritet qëllimisht.

“Kur i dëgjoj deklaratat qoftë të kryeministrit qoftë të tjerëve duke thënë se akoma s’na ka ardhë nga komisioni ta merr mendja që komisioni parlamentar dhe Kryesia e Kuvendit janë në një largësi qindra-mijëra kilometra”, tha Selmanaj.

“Kryesia po të kishte interesin e saj për ta trajtuar këtë tematikë ka mund brenda ditës apo të nesërmen ta vendosë në rend dite dhe ta trajtojë”, theksoi ai./RTV21

 

Të ngjashme