Reshitaj në Estoni merr mbështetje për përmirësimin e gjendjes së mjedisit

14:55 | 27 Janar 2018
Arbresh.info

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, gjatë vizitës së saj zyrtare në Estoni, ka realizuar takime të ndara më funksionarë të lartë shtetëror.

Në takim më presidenten e Estonisë Kersti Kaljulaid, pasi falënderoi shtetin estonez për mbështetjen e dhënë për Kosovën, Reshitaj vlerësoi se Estonia është shembull i qeverisjes së mirë, e qeverisjes dhe i një shteti të gjelbër që menaxhon në mënyrën më të mirë mbeturinat dhe ku qytetarët të gjitha shërbimet i kryejnë përmes internetit.

Nga ana tjetër presidentja estoneze falënderoi ministren Reshitaj për pjesëmarrje në konferencën botërore të mjedisit dhe u shprehë e gatshme që të ndihmojë Kosovën në rrugën e saj të integrimit euro-atlantik.

Pas takimit me presidenten, Reshitaj takoi homologun e saj estonez Siim Kiisler, me të cilin biseduan për politikat e mjedisit që ka ndërmarrë Estonia e të cilat do të kishin impakt pozitiv edhe në përmirësimin e gjendjes së mjedisit në Kosovë.

“Sot aplikimi dhe dhënia e të gjitha pëlqimeve dhe lejeve mjedisore bëhet online” deklaroi ministri Kiisler, kurse Reshitaj u shprehë mjaft e interesuar që me ndihmën e shtetit estonez  këtë praktikë qeverisëse ta implementojë edhe në Kosovë.

Të dy ministrat u pajtuan që të bashkëpunojnë në shkëmbimin e përvojave për tejkalimin e problemeve mjedisore që kanë të dy vendet.

Gjatë kësaj vizite zyrtare në Estoni, Reshitaj takoi edhe shumë përfaqësues të shteteve tjera nga të cilët kërkoi përkrahje në rrugën tonë të integrimit dhe anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtar.

Në fund Reshitaj takoi edhe disa studentë nga Kosova që studiojnë në Estoni, të cilët i inkurajoi që pas përfundimit të studimeve të kthehen dhe t’i kontribuojnë vendit. /Lajmi.net/

Fotografia e Albena Reshitaj

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme