Google ADS

Java skandaloze e partisë më të madhe në vend

09:05 | 27 Janar 2018
Arbresh.info

Kjo javë do të mbahet mend nga aktivistët dhe pjesëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje. Gjashtë ditë me plot dinamikë e zhvillime brenda partisë nxorën në pah prapaskenat e subjektit politik ku nga zgjedhjet e fundit parlamentare doli si partia më e madhe në vend, shkruan arbresh.info.

Lëvizja Vetëvendosje nisi javën me një lajm të mirë për aktivistët që ia mbajnë anën tashmë kryetarit të tyre Albin Kurtit. Me 98.82 për qind të votave, Albin Kurti u rizgjodh për të dytën herë në krye të partisë. Nga gjithsej 31.000 mijë aktivistë, kanë votuar 10.666 persona, ose përkthyer në përqindje 33%, duke e konsideruar këtë proces si të suksesshëm. Madje më të suksesshmin e mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme për të gjitha subjektet politike në vend.

Në konferencën e parë i drejtuar si kryetar i partisë, Albin Kurti ka thënë se ka shpresuar që të zgjidhen mospajtimet brenda partisë.

“Nga mbledhja që kemi pasur me kryesinë dhe grupin parlamentar unë isha me shpresa për të zgjidhur mospajtimet. Besoj që për këtë gjë do të duhej që ata që janë më të thirrur se unë të flasin edhe një herë”, raporton arbresh.info.

Kryetari i porsazgjedhur u është adresuar edhe fjalëve të fundit ku ai quhej “BABA” i Vetëvendosjes.

“Nuk ka pasur asnjëherë në asnjë rast që dikush të më thërret babë ose komandant. Ka pasur të atillë që më kanë thirrë kryetar edhe pse s’isha, por kurrë Babë ose komandant. S’jemi në luftë, jemi në paqe”, ka thënë Kurti.

Pas shumë zhvillimeve, brenda partisë, para medieve, i pari që mori guxim të flasë ishte Dardan Molliqaj i cili shpalosi akuza karshi Albin Kurtit. Por një ditë më pas, Kurti, ka shpjeguar historinë e përpjekjeve për t’i zgjidhur problemet e partisë.

Kurti në një intervistë në “Jeta në Kosovë” ka treguar që fillimisht ka pasur përpjekje që problemet e brendshme të mos bëhen publike, por sipas Kurtit një gjë e tillë ka qenë shumë e vështirë.

Ai ka vënë në pah problemet e partisë në çështjen organizative.

“U përpoqa duke diskutuar me të tjerët, kemi pasur mospajtime, por ka pasur rezistencë për të mos e hapur këtë çështje, por ka qenë e vështirë të rezistohet në një Lëvizje. Sharjet nuk janë thelbi, këto janë çështje të brendshme të organizatës”, është shprehur Albin Kurti.

Kryetari I VV-së, ka folur edhe për ish-sekretarin organizativ të VV-së, Dardan Molliqaj.

Ai ka pranuar se i ka kërkuar Molliqajt, që të mos kandidojë për deputet në Kuvendin e Kosovës.

“Kam thënë që jam kundër në pranverën e vitit 2017, kur më thuhet brenda të njëjtit takim, disa herë, që edhe dua të bëhem deputet, edhe dal nga Lëvizja Vetëvendosje. Nëse do të dalësh nga Lëvizja, pse duhet të mbështes që të bëhesh deputet”, ka treguar Kurti.

Lideri i kësaj partie ka thënë se agjentë të shumtë punojnë kundër Vetëvendosjes.

Po ashtu Kurti gjatë kësaj jave ka komentuar edhe fyerjen e Aida Dërgutit i cili është shprehur i befasuar me fjalorin e saj, por përsëri i ka kërkuarDërgutit që të kthehet në parti.
“Asnjë mospajtim me Aidën nuk e kam pasur. Jam befasuar me reagimin e Aidës. As nuk kam inat sot as nuk më ka mbetur hatri. Ajo ka qenë aktiviste e VV-së dhe është deputete dhe do të ishte më mirë që të bëhej prapë aktiviste e VV-së”, ka deklaruar Kurti.

Këto nuk janë të vetmet probleme brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Gjatë kësaj jave një aktivist i kësaj partie përmes një statusi në Facebookka hapur një debat të ashpër për gjëra të rënda që kanë ndodhur brenda partisë.

Tash akuzat kanë filluar të bëhen edhe për ngacmime seksuale, kuvetë aktivistët e VV-së janë duke bërë akuza publike se ka pasur orgji në treshe dhe drogë në zyra.

“Linqimaaaaa!!!! Janė këta të Zyreve të cilêt për deri sa Albini e ne të tjerët pervilnim krahët duke u takuar me Qytetarët e duke dëgjuar hallet e tyre këta bënin sex në treshe dhe i qeponin barit nepër Zyre”, ka shkruar në një status në Facebook  Fadil Robelli, aktivist i VV’së.

Ai edhe ditë më parë në një postim në profilin e tij pati folur për seksin në Lëvizje.

“Largohet klika e orgjive. Klika e sex-it treshe. Klika e abuzuesve të fondeve të LV. Klika e falsikuesve të dokumentave( 11 veta nga Klika posedonin iDtê falsifikuara të Policis dhe nëpër Tubime paraqiteshin si Polic të SHPK). Klika e barit. Klika e Diplomave falso. Klika e heroinês. Klika e faqeve tê zeza. Kaq janë nuk ka ma shumë! Tash ka shpresë❤️❤️❤️”, kishte shkruar ai.

Për ngacmime seksuale ka folur edhe kryetari i VV’së, Albin Kurti.

Ai ka thënë se persona të caktuar kanë ngacmuar aktivistet e Vetëvendosjes që kanë bërë që të njëjtat të mos shkojnë më në zyrat e partisë.

Pas deklaratave për ngacmime seksuale brenda Lëvizjes Vetëvendosje, krahas skandaleve të mëdha për të cilat po përflitet në këtë parti, dorëheqja e disa prej aktivistëve më të zëshëm i dha edhe një grusht të fortë Vetëvendosjes.

Rreth 40 aktivistë, kanë dhënë dorëheqje nga Lëvizja ndër ta edhe, Nol Nushin e Teuta Rrusta, të cilët përmes një konference për media treguan se atyre nuk po u jepet hapësira si më parë në këtë parti.

Nga të gjitha këto zhvillime gjatë kësaj jave mjaft dinamike për Lëvizjen Vetëvendosje, mbetet të shihet se a do të ndahet kjo parti apo si do të veprojë. Por një gjë tashmë dihet se bëhet fjalë për dy ndarje mes dy emrave kyç në Lëvizje, Albin Kurtit dhe Dardan Molliqajt. /Arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme