Kanceri i qafës së mitrës mund të parandalohet

01:37 | 27 Janar 2018
Trina Galanxhi

Java e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës është një fushatë sensibilizuese europiane, e cila ka si qëllim të rrisë informimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin dhe kapjen e hershme të kancerit të qafës së mitrës te femrat.

Prej vitit 2007, Java e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës organizohet çdo vit, javën e fundit të janarit.

KANCERI I QAFËS SË MITRËS

Disa pyetje dhe përgjigje lidhur me kancerin e qafës së mitrës

Çfarë është kanceri i qafës së mitrës?

Kanceri i qafës së mitrës është një lloj kanceri i cili zhvillohet në qafën e mitrës së një femre dhe është kanceri i dytë më i zakonshëm te femrat, veçanërisht në vendet në zhvillim. Kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje tërësisht e parandalueshme e megjithatë, ai mbetet shkak i rëndësishëm i vdekjes nga kanceri te gratë në mbarë botën.

Nga se shkaktohet kanceri i qafës së mitrës?

Kanceri i qafës së mitrës shkaktohet nga infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me një ose më shumë lloje të virusit të papilomës humane-HPV, një infeksion i zakonshëm i traktit riprodhues që transmetohet seksualisht. Ka shumë lloje të HPV-së, por jo të gjitha shkaktojnë probleme. Kryesisht llojet 16 e 18 të HPV-së, të njohura edhe si lloje me rrezik të lartë në shkaktimin e kancerit, akuzohen për rreth 70% të kancerit të qafës së mitrës te gratë.

Të gjitha gratë mund të preken nga kanceri i qafës së mitrës?

Çdo grua mund të jetë në rrezik për kancer të qafës së mitrës, por një femër është më e rrezikuar për t’u prekur nëse: ka filluar herët marrëdhënien e parë seksuale; ka partnerë seksualë të shumtë; ka partnerë të cilët kanë apo kanë patur shumë partnere seksuale; ka apo ka patur një infeksion seksualisht të transmetueshëm; përdor në mënyrë abuzive duhanin apo ka imunitet të ulët.

Çfarë shenjash ka kanceri i qafës së mitrës?

Shumica e infeksioneve nga HPV nuk kanë shenja dhe kalojnë në mënyrë spontane. Kur shfaqen shenjat, ato mund të përfshijnë gjakderdhje jo të rregullt midis cikleve menstruale, gjakderdhje jonormale vaginale pas marrëdhënieve seksuale, dhimbje mesi apo në fund të barkut, lodhje, humbje peshe dhe oreksi, parehati vaginale ose sekrecione vaginale jonormale, dhimbje gjatë kontaktit seksual, etj. Në faza të avancuara shfaqen edhe simptoma të tjera më të rënda.

Si parandalohet kanceri i qafës së mitrës?

Pothuajse çdo rast me kancer të qafës së mitrës mund të parandalohet nëpërmjet depistimit/kontrollit dhe vaksinimit. Tashmë është e provuar se programet e depistimit të kancerit të qafës së mitrës mund të parandalojnë deri në 80% të rasteve, dhe së bashku me vaksinën mund të reduktojnë ndjeshëm nivelet e këtij kanceri.

Çfarë është depistimi për kancerin e qafës së mitrës?

Depistimi/kontrolli për kancerin e qafës së mitrës është testimi për të kapur fazat parakanceroze dhe kancerin te gratë, të cilat akoma nuk kanë simptoma dhe mund të ndihen të shëndetshme, si dhe kur trajtimi ka një mundësi të lartë për shërim.

Aktualisht janë në dispozicion disa lloje testesh depistuese përfshirë Pap testin dhe testimi për HPV me rrezik të lartë.

Çfarë është Pap testi?

Pap testi është një test tradicional depistues. Pap testi është një test i shpejtë, i thjeshtë, jo i dhimbshëm, zgjat vetëm pak minuta, por mund të shpëtojë jetën e një femre. Ky test mund të kryhet ambulatorisht në një klinikë apo spital. Pap testi rekomandohet të bëhet për herë të parë në moshën 21 vjeç, dhe të ribëhet çdo 3 vjet. Nëse rezultati i Pap testit është normal, rreziku për kancer të qafës së mitrës është i ulët. Nëse rezultati del jonormal, do të thotë që disa qeliza jonormale janë gjetur në qafën e mitrës, por kjo nuk do të thotë gjithmonë që janë kanceroze. Nëse Pap testi tregon një dyshim apo gjendje jonormale, mjeku kërkon të përsëritet testi mbas 6 muajsh apo kërkon të kryhen ekzaminime të tjera shtesë.

Po testimi për HPV çfarë është?

Testimi për HPV është metodë testimi që bazohet në zbulimin e ADN-së së HPV-së me rrezik të lartë në mostrat vaginale ose të qafës së mitrës. Në testimin për HPV, merret një mostër qelizash duke futur në vaginë një furçë të vogël dhe pastaj vendoset në një enë me solucion ruajtës. Mostra mund të mblidhet edhe nga vetë gruaja duke e udhëzuar paraprakisht. Megjithëse testimi për HPV është shumë i ndjeshëm në zbulimin e HPV, një test pozitiv HPV nuk konfirmon se gruaja ka parakancer; ai vetëm konfirmon se ka një infeksion me HPV. Testimi për HPV rekomandohet për çdo grua çdo 5 vjet, duke filluar nga mosha 30 vjeç. Por, edhe pse kanceri i qafës së mitrës është i rrallë para moshës 30 vjeç, depistimi mund të bëhet edhe te gratë më të reja se 30 vjeç nëse vihet re rrezik i lartë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon depistimin (testi Pap ose HPV) për çdo grua seksualisht aktive nga mosha 30 deri në 49 vjeç, të paktën një herë në jetë dhe në mënyrë ideale më shpesh,i cili do të reduktojë vdekjet nga kanceri i qafës së mitrës.

Çfarë është vaksina kundër HPV-së?

Vaksinimi kundër HPV-së redukton në masë të konsiderueshme rrezikun për kancer të qafës së mitrës. Aktualisht në dispozicion janë disa lloje vaksinash që sigurojnë një mbrojtje të lartë kryesisht kundër dy llojeve të HPV-së, 16 dhe 18. Një prej vaksinave mbron gjithashtu edhe nga llojet 6 dhe 11 të HPV-së të cilat shkaktojnë lythat anogjenitale. Studimet tregojnë se vaksinat janë të sigurta dhe shumë efektive në parandalimin e infeksionit me HPV 16 dhe 18, nëse aplikohen para ekspozimit të HPV-së. Prandaj preferohet që ato të aplikohen para aktivitetit të parë seksual. OBSH-ja rekomandon vaksinimin për vajzat e moshës 9-13 vjeç, por mund të ktyhet për moshat 9-26 vjeç. Vaksinimi kundër HPV-së nuk zëvendëson depistimin për kancerin e qafës së mitrës.

Ndërhyrje të tjera parandaluese përveç depistimit dhe vaksinimit, të rekomanduara nga OBSH-ja si për djemtë dhe për vajzat janë: edukimi lidhur me praktikat e sigurta seksuale dhe fillimi me vonesë i aktivitetit seksual; promovimi i përdorimit të prezervativit për ata që kryejnë aktivitet seksual; paralajmërimet për përdorimin e duhanit, rrethprerja mashkullore (syneti). Edukimi shëndetësor siguron që gratë, familjet e tyre e komuniteti në përgjithësi të kuptojnë se kanceri i qafës së mitrës është i parandalueshëm.

Si trajtohet kanceri i qafës së mitrës?

Në disa raste, pjesët jonormale duhen hequr që të mos përparojnë në kancer të qafës së mitrës. Kjo gjë kërkon një trajtim të thjeshtë dhe jo gjithmonë kërkon shtrim në spital. Gratë që janë trajtuar për parakancer të qafës së mitrës duhet të ndiqen dhe trajtohen pas 12 muajsh. Nëse më pas shenjat e kancerit të qafës së mitrës janë të pranishme, mundësitë e trajtimit përfshijnë kirurgjinë, radioterapinë dhe kimioterapinë./syri/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme