Miratimi i Demarkacionit stopon izolimin e Kosovës

09:27 | 26 Janar 2018
Arbresh.info

As pas një dekade shtetbërjeje qytetarët e Republikës së Kosovës nuk do të mundë të udhëtojnë lirshëm në Bashkimin Evropian (BE).

Kjo meqë Demarkacioni, si kushti kryesor për heqjen e vizave, ende nuk ka marrë epilog në mungesë të një konsensusi politik.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka bërë thirrje sërish që të plotësohen dy kushtet e mbetura për heqje të vizave. Zyra e BE-së në Kosovë ka thënë për “Zërin” se miratimi i Demarkacionit stopon izolimin e Kosovës.

Ndërkaq, gati një dekadë pasi kishte nisur të premtonte heqjen e vizave për qytetarët, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në dhjetor të vitit të shkuar dha alarmin se Kosova ka afat vetëm edhe 40 ditë për ta zënë hapin për liberalizimin e vizave.

Duke bërë thirrje që Demarkacioni të ratifikohej sa më parë Thaçi paralajmëronte për rrezikun që i kanosej Kosovës, ani pse vetë ai për tetë vjet rresht vazhdoi t’i premtonte vizat.

Ekspertët e çështjeve të integrimit e të liberalizimit vlerësojnë se Kosova tashmë ka humbur shumë kohë sa i përket këtij procesi. Sipas tyre, një gjë e tillë do t’i kushtojë mjaft shumë Kosovës.

E përderisa Qeveria zotohet se është duke punuar në këtë drejtim, pozita e opozita fajësojnë njëra-tjetrën për zvarritje të këtij procesi. /Zëri/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme