Nura thotë se Haxhiu u shkarkua për shkak se e tradhtoi partinë, e quan makiavelist

00:03 | 26 Janar 2018
Trina Galanxhi

Fadil Nura, sekretar i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, ka thënë se ish-nënkryetari i kësaj dege, Bekim Haxhiu u shkarkua nga kjo pozitë për shkak se punoi kundër vendimit të vetë dhe të partisë për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Skenderajt.

Sipas Nurës, që ka qenë i ftuar në “Interaktiv” të KTV-së, ky ka qenë vendim i Këshillit të Përgjithshëm, që është organi më i lartë i PDK-së.

“Ai ka kundërshtuar vendimin e partisë dhe të vetin sepse njëfarë mënyre ka votuar për atë vendim, që të përkrahet Ismet Salihu në krye të Kuvendit Komunal. Ai ka lobuar kundër, dhe në prapavijë ka bashkërenduar qëndrimet me partitë opozitare për ta zgjedhur Fatbardha Halilin në krye të Kuvendit Komunal”, ka thënë Nura, përcjell Koha.net

I pyetur nëse me këtë po e akuzon për tradhti ndaj partisë, Nura ka thënë se “kualifikojeni si të doni, po realisht ashtu po i bie”.

Ai ka thënë se Haxhiu mbetet anëtar i Kryesisë së Degës, ndërsa ka treguar se Nuredin Lushtaku është vendos që të jetë nënkryetar i degës në Skenderaj.

Sa i përket listës së publikuar nga Bekim Haxhiu, të nëndegëve që kanë dalë kundër vendimit për përjashtim të tij, Nura ka thënë se aty ka pasur emra që ishin nënshkruar edhe pse s’kishin ditur se çka po nënshkruanin.

Nura ka thënë po ashtu se kryetari i partisë, Kadri Veseli, nuk ka kompetenca që të merret me çështjen e shkarkimit të Haxhiut, pasi një gjë të tillë e pamundëson statusi i partisë.

“Nuk përzihet qendra aty. Vjet e kemi bë nënkryetar sivjet e kemi shkarkuar. Nuk e kemi pyetur qendrën që a ta bëjmë nënkryetar. Është statuti i partisë”, ka thënë ai.

Nura e ka quajtur makiavelist të papërmirësuar Haxhiun. Ai ka thënë se Haxhiu ka shfrytëzuar emra të shumtë për interesa politikë personal.

“Nuk i preferoj fjalët vulgare, por nëse e marrim gjithë veprimtarinë e zotit Haxhiu mund të them se ai po bën një veprim makiavelist i papërmirësuar. Edhe lobimin që ka bë që të jetë ministër i shëndetësisë. Ka keqpërdorur emrin e Thaçit kur ka qenë kryetar i partisë, tani të Veselit por edhe të Lushtakut”, ka thënë ai./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme