Google ADS

Petkov: Mundësi historike, të fillohen negociatat me BE-në

17:15 | 25 Janar 2018
L G

Maqedonia ka mundësi historike që t’i fillojë negociatat me BE-në këtë vit, ndërkaq Bullgaria mbështet përpjekjet e qeverisë që vendi të kthehet në rrugën euroatlantike, deklaroi ambasadori i Bullgarisë në Shkup, Velikov Petkov, duke prezantuar për prioritetet e presidencës bullgare me Këshillin Europian.

“Republika e Bullgarisë mbështet përpjekjet e qeverisë së kryeministrit, Zoran Zaev, të institucioneve, administratës publike, sektorit civil dhe medieve, me qëllim që Maqedonia të kthehet në rrugën euroatlantike. Ne besojmë se me përparimin e qëndrueshëm, implementimin e reformave prioritare dhe zgjidhjen e kontestit për emrin, vendi juaj do ta ketë mundësinë historike që t’i fillojë negociatat këtë vit”,- deklaroi ambasadori i Bullgarisë, Velikov Petkov.

Petkov tha se Bullgaria vlerëson shumë marrëveshjen e nënshkruar mes dy vendeve, pasi që është një garanci për mirëkuptim të ndërsjellë dhe hap horizonte për benefite të mëtutjeshme, ndërkaq për takimin Zaev – Tsipras tha se rrit mundësinë për tejkalimin e ngërçit rreth emrit.

“Dje na erdhi një lajm tjetër i shkëlqyeshëm për takimin në Davos, ku kryeministrat, Zoran Zaev dhe Aleksis Tspras, kishin takim të shkëlqyer. Kjo i rrit shpresat për zgjidhjen e çështjes së emrit. Bullgaria është e gatshme për të mbështetur çdo hap të pajtimit, paqes dhe bashkëpunimit”,- tha ambasadori i Bullgarisë, Velikov Petkov.

Ballkani perëndimor është prioritet qendror i politikës së jashtme bullgare dhe prioritet kyç i presidencës bullgare, tha Petkov. Jemi të bindur se BE duhet ta konfirmojë perspektivën europiane për të gjitha vendet e Ballkanit dhe t’i përkrahë reformat pro-europiane, tha ai.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme