Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për “Deutche Welle” të realizuar gjatë ditës së enjte të javës së kaluar, dy ditë pas vrasjes së liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq, ka folur për temat kryesore të cilat e preokupojnë shtetin e Kosovës.
I pyetur për krimin e ndodhur në Veri të Mitrovicës, si dhe pasojat e kësaj ngjarjeje Thaçi u përgjigj:
“Ky është një moment tragjik për Kosovën, lajmi më i keq që mund të merrnim dhe të përjetonim për momentin. Krejt çka mund të them është që Institucionet e Republikës së Kosovës do të bëjnë të pamundurën në zbardhjen e këtij krimi. Kjo është ajo që më së paku i duhej Kosovës, dhe ata që planifikuan dhe kryen këtë krim, kanë sulmuar Kosovën dhe imazhin e Kosovës”, u përgjigj Thaçi.
Thaçi u pyet edhe për kryerësit e mundshëm të kësaj vepre, ku u shpreh se nuk do të paragjykojë por hetimet e para mbi këtë rast na kanë lënë me shpresa që ky krim do të zbardhet sa më shpejtë të jetë e mundur, transmeton lajmi.net.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u deklarua edhe për bashkëpunimin e mundshëm të organeve të drejtësisë në Kosovë me ato serbe.
“Kjo është një luftë kundër krimit, është një sfidë për të zbuluar një krim serioz të një figure të rëndësishme politike, mendoj që çdo bashkëpunim i Institucioneve kosovare me ato serbe me qëllim të zbardhjes së kësaj çështjeje është i mirëseardhur, mirëpo hetimet për këtë rast do të bëhen nga Institucionet Kosovare. Të themi të vërteten, Ivanoviqi kishte nënshtetësi serbe, mirëpo ai gjithmonë ka thënë që problemet më të pakta i ka pasur me shqiptarët, dhe problemet më të mëdha me serbët, ata e kërcënuan atë, por përsëri, nuk dua të paragjykojë”, shtoi Thaçi.
Thaçi shtoi se ai shpreson që ky të mbetet një rasti i izoluar edhe pse nuk mund të thotë që kjo ndodhi aksidentalisht, ngase sipas tij, kjo ishte mirë e planifikuar.
Duke u përgjigjur në pyetjen se si e shpjegon vërejtjen e Departamentit të Shtetit amerikan lidhur me sigurinë e brishtë në veri dhe thirrjen për të mos shkuar atje, tha Thaçi .
“Nuk mund të komentoj deklaratat e Departamentit të Shtetit Amerikan, ata kanë informacionet e tyre, ky raport u publikua 3 ditë para vrasjes së Ivanoviqit”.
Duke folur për rolin e Rusisë në Serbi dhe në Kosovë, Thaçi tha se fakti që Presidenti Rus, Vladimir Putin, në veri ka më shumë ndikim se sa çdo politikan serb, tregon për ndikimin e tij. Edhe nëse ky ndikim është vetëm virtual. Por jo vetëm këtu, edhe në Serbi apo kudo që jetojnë serbët, deklaroi Thaçi.
Presidenti Thaçi u pyet edhe për shfuqizimin e Gjykatës Speciale duke thënë:
“Qeveria është e ndarë dhe unë nuk do të votojë për punën e ndonjë grupi parlamentar”.
“Unë kategorikisht refuzoj sjelljen brutale të çdokujt kundër grupeve parlamentare apo deputetëve individualisht, sepse ata janë zgjedhur nga populli. Kosova ka obligime ndërkombëtare dhe do t’i respektojë ato. Përderisa kjo Gjykatë të jetë në vend, njerëzit duhet të sillen me përgjegjësi, dhe mos të shkaktojnë situata të jashtëzakonshme në situata normale. Askush nuk mund të kundërshtojë opinionin personal të asnjë deputeti, grupi parlamentar, apo partie politike, por një gjë është e sigurtë, Kosova drejtohet nga njerëz që janë zgjedhur nga populli”, ka theksuar presidenti i Kosovës. /Lajmi.net/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...