Google ADS

Haxhi Robin Krasniqi drejt titullit përmes polakut

13:02 | 23 Janar 2018
Arbresh.info

Haxhi Robin Krasniqi do t’i kthehet ringut muajin e ardhshëm pas periudhës prej afro një viti, shkruan sot gazeta Zëri.

Boksieri kosovar kishte boksuar për herë të fundit në prill të vitit të kaluar kur kishte humbur nga Arthur Abraham dhe nga ajo kohë është përgatitur maksimalisht për meçin e radhës.

Tash Krasniqi është i vendosur ta fitojë luftën e 3 shkurtit, kur edhe do të zbresë në ring.

Në fakt, junikasi e ka mësuar emrin e kundërshtarit të dielën mbrëma. Ai do të jetë Bartlomiej Grafka.

29-vjeçari nga Polonia i ka fituar 20 nga 50 meçet që i ka zhvilluar në karrierë, duke i humbur 27 sosh dhe duke barazuar në tre të tjerë.

Duke i pasur parasysh statistikat (Krasniqi ka 45 fitore e 5 humbje), Haxhiu shihet si favorit në këtë meç.

Shtoja këtu motivin ekstra të lartë të boksierit kosovar për ta bërë një hap tjetër drejt titullit të kampionit botëror, mund të thuhet se 30-vjeçari ka përparësi në këtë duel.

Krasniqi nuk dorëzohet kurrë

Krasniqi ka ushtruar në tetë muajt e fundit në “shtëpinë e tij të dytë” – në bjeshkët bavareze dhe tash është zhvendosur në Frankfurt, ndërsa meçin do ta zhvillojë në “Gas Arena” në Halle.

Ai është i vendosur për ta fituar këtë meç, i cili më pas do t’ia hapte rrugën për t’iu afruar edhe më shumë ëndrrës së tij – të shpallet kampion bote në tentimin e tretë, pasi në dy tentimet e para kishte dështuar ta bënte një gjë të tillë.

“Unë e kam lënë prapa krahëve një vit të vështirë dhe kam marrë eksperiencë nga kjo. Është e qartë se unë nuk dorëzohem kurrë drejt realizimit të ëndrrës sime”, ka thënë ditë më parë Krasniqi, i cili është në mesin e 25 boksierëve më të mirë në botë në kategorinë e tij.

Fansa të panumërt shqiptarë dhe gjermanë të Krasniqit pritet të jenë të pranishëm në palestër për ta mbështetur Haxhiun dhe boksierët tjerë shqiptarë që do të boksojnë në natën më të rëndësishme për boksin shqiptar.

Natë e vështirë për Uldedajn

Natën e shtunë të 3 shkurtit në ring do të zbresë edhe boksieri tjetër shqiptar i SES-it, Jurgen Uldedaj, i cili ka regjistruar shtatë fitore në karrierë, prej tyre dy me nokaut dhe nuk ka pësuar ende humbje.

Boksieri nga Lezha do ta kërkojë titullin e parë internacional të Gjermanisë ndaj të pamposhturit Jakub Synek.

Çeku deri më tash ka regjistruar tetë fitore dhe një barazim, prej tyre dy me nokaut.

Gjithashtu, atë natë në njërin nga parameçet do të boksojë edhe shqiptari tjetër Elvis Hetemi.

Çeku Stanislav Eschner do të jetë kundërshtari i radhës i boksierit nga Vushtrria.

Organizatorët njoftojnë se tashmë biletat e meçeve të 3 shkurtit kanë dalë në shitje dhe ato mund të blihen online. /Zëri/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme