Shfuqizimi i Gjykatës Speciale mund të çojë deri në ngrirjen e perspektivës së integrimit të Kosovës në BE, paralajmëron kryetari i grupit parlamentar të Europës Juglindore në Bundestag, deputeti i CDU-së, Stephan Albani.
Deutsche Welle: Kosova të duket sikur momentalisht ka ngecur, progresi drejt BE është i ngadalësuar, liberalizim vizash nuk ka, papunësia kap shifra të larta. Në këtë kontekst Procesi i Berlinit shihet si një shpresë e vërtetë. Çfarë impulsesh të reja do të mund të priten nga qeveria e re gjermane kur të krijohet?
Stephan Albani: Isha shumë i lumtur e i gëzuar kur dëgjova kancelaren Merkel që kur i skicoi pikat kryesore që kemi përpara në këtë legjislaturë në takimin e fraksionit kristiandemokrat përmendi integrimin e Ballkanit dhe mbështetjen e Ballkanit në rrugën drejt BE si shumë elementare dhe eksplicite. Por desha të theksoj se ky është si një 100-metërsh, në fund të tij vendoset integrimi europian, jo pas 90 metrave, jo pas 80 metrave, por pas 100 metrave. Ne mund të ndihmojmë njerëzit në Ballkan, konkretisht në Kosovë drejt kësaj rruge që ajo të përshkohet më shpejt, për këtë duhet gatishmëria, por rruga 100-metërshe nuk ka për t’u shkurtuar.
Çështja e shfuqizimit të Gjykatës Speciale pas iniciativës së 43 deputetëve kosovarë ende vërtitet nëpër politikën e Kosovës, me gjithë paralajmërimet ndërkombëtare, përpjekjet vazhdojnë. Si e gjykoni ju këtë përpjekje?
Stephan Albani: Jo edhe aq pozitivisht. Por më duket se ndërkohë nga pala e tyre është kuptuar, se paralajmërimet nga bashkësia ndërkombëtare janë shumë të qarta për këtë. Kjo nuk është rruga e duhur për Kosovën dhe i ka kushtuar masivisht simpati Kosovës dhe politikisht e ka dëmtuar.
Por nëse procesi vazhdon e puna vjen deri tek shfuqizimi, çfarë e pret Kosovën?
Stephan Albani: Sigurisht do të ishte hap në një drejtim tërësisht të gabuar. Nga të gjitha anët ka përpjekje për t’i dhënë Kosovës një perspektivë në drejtim të Europës e po qe se puna do të arrinte deri këtu, kjo do ta izolonte Kosovën, jam relativisht i sigurt që perspektiva drejt BE do të kishte pasoja, e nëse e kërkon situata kjo perspektivë edhe mund të ngrijë.
Në media lexohet se në listën e personave që do mund të gjykohen janë edhe figura të njohura në politikën e Kosovës. Mund të pyesësh se pse bashkësia ndërkombëtare ka bashkëpunuar kaq gjatë, kur ka pasur hije të tilla?
Çfarë do të thotë bashkëpunim? Kur zhvillohen negociata apo bisedime, ata të palës tjetër janë njëherë për njëherë ata që janë. Personalisht nuk njoh akuza konkrete e nuk dua të vazhdoj të spekuloj.
A mendoni se arrestime të caktuara mund të çonin deri në humbjen e qetësisë në Kosovë?
Stephan Albani:Jam me besim se autoritetet kosovare do të sigurojnë që Gjykata Speciale do të vazhdojë të kryejë e papenguar detyrat përkatëse të një shteti ligjor.
Pas vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq ka zëra serbë, se pas vrasjes mund të fshihen edhe qarqe ekstremiste apo mafioze serbe. Ka rënë Veriu i Kosovës në një gjendje paligjshmërie, ku as Prishtina dhe as ndërkombëtarët nuk e kanë kontrollin?
Nuk dua të spekuloj më tej, sipas motos çfarë ndodh po qe se punët shkojnë më keq, kjo nuk ndihmon aspak. Ajo që është elementare është zbardhja ligjore, gjetja e autorëve që të dalin para drejtësisë, kjo ka rëndësi jo vetëm se si shihet Kosova në botë, por për paqen në vend e në fund të fundit të çohet përpara procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.
Dialogu u ndërpre sërish pas vrasjes së Ivanoviqit, një pengesë tjetër për normalizimin. Si mund të ndikojë konkretisht Gjermania që ai të rinisë dhe që të dyja palët të jetësojnë marrëveshjet?
Stephan Albani:Personalisht jam i pakënaqur. Kam një vit e gjysmë si kryetar i grupit parlamentar të Evropës Juglindore në Bundestag e shoh që procesi i normalizimit nuk po ecën përpara…
Ku i shikoni pengesat?
Stephan Albani:Pengesat janë ato, që nga njëra anë në letër përshkruhet e thuhen gjërat që duhen bërë, por ato nuk implementohen në praktikë, pra ata nuk i bëjnë të tyret këto vendime. Gjermania do të luajë rolin e saj që BE të vazhdojë të angazhohet gjithnjë e më fort që procesi i normalizimit të ecë përpara jo vetëm në letër, por edhe në zbatimin në politikën praktike, që këto vendime të jetësohen, pra kur flasim për procese të shtetit ligjor, për çështjen e vijës së demarkacionit me Malin e zi. Kam takuar disa delegacione kosovare dhe e kam bërë të qartë se duhet të sigurohet që qeveria dhe opozita të bëjnë punën e tyre si duhet, që proceset parlamentare të bëhen realitet dhe në fund të jetësohet normalizimi i marrëdhënieve, jo vetëm në letër por edhe në mendje e në praktikë.
Një temë qendrore në Kosovë është liberalizimi i vizave. Kur do mund të hapet rruga për këtë?
Stephan Albani:Liberalizimi i vizave është i lidhur drejtpërdrejt me procesin e normalizimit por sidomos me zgjidhjen e çështjes së demarkacionit me Malin e Zi. Ajo që më ka zhgënjyer ishte se nga ana qeverisë kjo ujdi u miratua, por nuk është ratifikuar në parlament. Kjo duhet të bëhet.
Stephan Albani është parlamentar kristiandemokrat gjerman dhe drejtues i grupit parlamentar për Evropën Juglindore në Bundestag./DW
Kosova mundet nga Irlanda
Rama thotë se ka filluar instalimi i ashensorëve në banesa k...
Gjuajtja me vezë – Xheneta akuzon Xuxin se e ka planifikuar ...
Abdixhiku: Sonte, Malisheva i dha zë ‘Turneut të Ndryshimit’
Vdekja e 25-vjeçarit në Prizren, Haradinaj bën thirrje për r...
Osmani takoi Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, fl...