Qëndrimi i BE-së ndaj Kosovës është diskriminues dhe i dhimbshëm, por i bazuar

09:01 | 23 Janar 2018
M. A.

Ditëve të fundit ka pasur zhvillime jo të  mira për Kosovën. Kështu ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj dje në mbledhjen e qeverisë. Shqetësimi i tij erdhi pasi që Bashkimi Europian nuk i ka caktuar kritere as afate kohore Kosovës për anëtarësim në BE, ku nga ana tjetër në Strategjinë e BE-së përmenden kushtet dhe kriteret që Serbia dhe Mali i Zi duhet t’i përmbushin deri në vitin 2025 që të jenë pjesë e BE-së, shkruan arbresh.info.

“E përshëndes iniciativën e BE, po qasja është selektive meqë ka një datë dhe vit konkret që deri në 2025, Serbia e Mali i Zi nëse i përmbushin kriteret mund të jenë pjesë e BE-së, kur është fjala për Kosovën por edhe Shqipërinë, Maqedoninë e Bosnjën ka vlerësim shumë të përgjithshëm. Ky formulim vendin tonë nuk e qon askund. Strategjia ofron kushte dhe kritere të cilat dihet t’i përmbushin vendet e rajonit mirëpo për Kosovën as kushte e as afat. Progresi i Serbisë në anëtarësimin në BE lidhet ngushtë me bisedimet me Kosovën por kjo nuk  lidhet askund me Kosovën”, ka thënë Hoxhaj në mbledhjen e qeverisë.

Qëndrimi i BE-së ndaj Kosovës është diskriminues dhe i dhimbshëm. Por, është edhe i bazuar sepse qeveritë në vazhdimësi kanë dështuar të krijojnë procese të reformave që do të bindin BE dhe shtete anëtare se po funksionon shteti, thotë analisti politik Haki Abazi.

“Ky është një moment jashtëzakonisht i dhimbshëm. Qëndrimi i BE është edhe i bazuar por edhe diskriminues. Është i bazuar sepse e vërteta është që qeveritë e Kosovës në vazhdimësi kanë dështuar të krijojnë proces të reformave që do të bindnin BE dhe shtetet anëtarë se po funksionon shteti, se tregu dhe ekonomia e Kosovës mund të jetë pjesë dhe të garojë me ekonomitë e vendeve në rajon dhe në Evropë. Ky është çmimi i politikanëve të gabuar, jogjithëpërfshirëse, ad-hoc veprimeve dhe injorancës dhe arrogancës me te cilën ka udhëhequr PDK dhe Klani PRONTO“, ka thënë Abazi.

Abazi kritikon klasën politike në vend që nuk kanë arritur të jenë pjesë e agjendës integruese të BE-së.

“Ky është dështim historik për të cilin do te largoheshin dhe përjashtoheshin nga përgjegjësia politike akterët që kanë sjellë deri këtu situatën. Në anë tjetër qëndrimi i BE është diskriminues për faktin qe BE ka qene edhe me UNMIk edhe me EULEX pjesë e skenarit te dështimit dhe ka luajtur lojën me standarde te dyfishta”, ka thënë Abazi

Politologu Abazi mendon se është paradoksale që një shtet si Serbia që ka nisur pesë luftëra në Ballkan e pa reforma të mirëfillta të progresojë para Shqipërisë.

“Sigurisht që diku në mendjen e byrokratve kjo ka një arsyetim por në logjikën e shëndoshë dhe politikat progresive msheh një paradox të thellë dhe shumë problematike me vet vlerat dhe principet e Unionit Evropian. Kjo gjë edhe njëherë në asnjë mënyrë nuk i amniston politikane kosovarë për dështime e thella dhe për bashkëpunimin me krimin e organizuar dhe mungesën e sistemit e drejtësisë që garanton liritë dhe tregun e lirë. Këto institucione do të duhej të vepronin edhe sikur nesër të mos këtë Bashkim Evropian”, ka thënë në fund Abazi.

Kosova është shumë prapa anëtarësimit në Bashkimin Europian, mendon analisti tjetër politik Imer Mushkolaj. Ai thotë se për shkak të mos njohjes nga pesë shtetet anëtare, BE më shumë po i jep prioritet Serbisë e Malit të Zi, ndonëse për Kosovën nuk ka ndonjë përfitim.

“Me mbajtjen e shpeshtë të zgjedhjeve sikur nuk po japin  mundësi që Kosova me i përfundu obligimet e veta, përmbushjen e MSA-së  në radhë të parë pasi që e dimë se MSA është një hap i rëndësishëm drejtë BE-së. Nuk është problemi tek Bashkimi Evropian në këtë rast por është problemi tek institucionet tona dhe përgjegjësit politik në vend, dhe nëse vazhdon kështu ne fatkeqësisht nuk do të bëjmë hapa të rëndësishme ose stabil drejt anëtarësimit”, tha thënë Mushkolaj për portalin arbresh.info.

Mushkolaj i konsideron përgjegjëse për këtë, klasën politike në vend. “Është lehtë me fajësua BE-së dhe më thënë nuk po na ndihmon por ne një kriter siç është demarkacioni nuk po arrijmë më kalu e tash vihet në pikëpyetje sa jemi të gatshëm ti përmbushim kriteret drejtë BE-së”.

Sipas tij, Kosova është specifike sepse BE nuk na njeh si shtet. Marrëveshjet që BE i arrin në Kosovë janë ‘as mish as peshk’ nuk janë marrëveshje të njëjta me shtete sovrane dhe të pavarura.

E kryeministri Ramush Haradinaj, të hënën, ka arsyetuar vendimin e BE-së me faktin se Kosovën po e pengojnë pesë shtetet që nuk e kanë njohur si shtet.

“Tani ne ballafaqohemi në plot sfida perspektiva drejt Ballkanit është ajo çka na bashkon të gjithëve. Kosovën e pengon shumë fakti që nuk është njohur nga 5 vendet”, tha Haradinaj./Mira Avdimetaj/Arbresh.info/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme