Këtë Muaj Përzgjidhen Shkollat Pjesëmarrëse në PISA

15:49 | 22 Janar 2018
L G

Shkollat të cilat do të jenë pjesëmarrëse në Testin Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA) do të përzgjidhen deri në fund të janarit.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi në një intervistë për KALLXO.com ka bërë të ditur se emrat e shkollave pjesëmarrëse që do të përcaktohen nga PISA do ti bëhen të ditura MASHT-it deri në fund të janarit

PISA është një test ndërkombëtar që vlerëson njohuritë e nxënësve 15 vjeçarë në mbi 72 vende të botës.

Kjo është hera e dytë që nxënësit kosovarë i nënshtrohen këtij testi që pritet të mbahet në fund të muajit prill.

Ministri Bytyqi tha se për të evituar rezultate shumë të këqija siç ishin në herën e parë kur Kosova iu nënshtrua këtij testi, ata planifikojnë testime përgatitore dhe mësim shtesë.

“Sot e kemi një lajm të mirë që deri në fund të janarit do të kemi informacione se të cilat shkolla do të mbahet testi, pra cilat shkolla do të jenë të përzgjedhura nga PISA dhe në këto shkolla do të kërkojmë nga drejtoritë e shkollave që të kenë mësim shtesë për lëndë në të cilat do ti nënshtrohen testit PISA 2018”, tha Bytyqi.

Bytyqi u shpreh optimist në rezultatet e këtij testi megjithëse tha se nuk pret dallim shumë të madh në renditje botërore.

“Ne presim një rezultat më të mirë sesa ka qenë nuk shpresojmë shumë sepse është periudhë e shkurtë që të bëjmë ndryshime të mëdha”, tha Bytyqi.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme