Sefaj: Vepra e Rugovës duhet të shërbejë si mësim për të gjithë ata që mendojnë ta marrin në duar fatin e kombit

17:33 | 21 Janar 2018
Arbresh.info

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj ka thënë se Ibrahim Rugova punoi me përkushtim të paepur për  çështjen e shqiptarëve të Kosovës.

Ai përmes një statusi në Facebook ka përkujtuar Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën, duke e cilësuar si një burrështetas të vërtetë.

“Fal karakterit të paluhatur tij prej një burrështetasi të vërtetë, presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, arriti të krijojë miqësi të përhershme me partnerët strategjik të Kosovës”, ka shkruar Sefaj.

Ky është postimi i plotë i tij:

Sot bëhen 12 vjet prej kur u nda nga jeta arkitekti i pavarësisë së vendit, presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Presidenti Rugova punoi me përkushtim të paepur për e çështjen e shqiptarëve të Kosovës. Orientimi i tij drejt vlerave perëndimore dhe civilizimit ishte faktor kyç që çoi në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Në fakt ky orientim shpëtoi popullin e Kosovës nga tjetërsimi.

Fal karakterit të paluhatur tij prej një burrështetasi të vërtetë, presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, arriti të krijojë miqësi të përhershme me partnerët strategjik të Kosovës.

Vepra dhe jeta e dr. Rugovës duhet të shërbejë si mësim për të gjithë ata që mendojnë se janë të gatshëm ta marrin në duar fatin e kombit. Rugova na mësoi se si liderët politik duhet të jenë të përgjegjshëm ndaj obligimeve morale që kanë ndaj atyre që ndikuan që të mos jemi viktimë e përhershme, ndaj atyre që besuan në kauzën tonë të drejtë, e që janë partner të Kosovës./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme